Arbëri

NATO e përkushtuar që rajoni të bëhet pjesë e saj, inkurajon dialogun

Përkushtimi kryesor i NATO-s është integrimi i tërë Ballkanit Perëndimor në Aleancë.

Por derisa të ndodhë kjo, vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, duhet t'i përmbushin reformat. Kështu ka thënë nënsekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, në një intervistë për "Kohën".

"Fakti se vijmë këtu vetëm disa ditë pas Samitit në Madrid është mesazh strategjik për rajonin. Mes shumë gjërave në Madrid në dokumentin strategjik ne njohim rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për stabilitet dhe siguri. NATO-ja është e përkushtuat dhe punon që i tërë rajoni të bëhet pjesë e Aleancës. Përkushtim i fuqishëm", deklaroi Geoana.

I pyetur rreth kërkesës se Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës, Geoana ka përmendur reformat dhe konsensusin që duhen arritur brenda Aleancës.

"Ne përshëndesim faktin se duhen bërë reforma. Reformat nuk duhen bërë për hir të anëtarësimit në NATO e BE, por për të mirën e qytetarëve, për jetë më të mirë për ta, për popullatën e cila është kryesisht e re, për krijim të vendeve të punës. Ne e njohim interesimin e autoriteteve për të qenë pjesë e Aleancës. NATO-ja funksionon me konsensus, kështu që ne inkurajojmë dialogun me aleatët që ende kanë disa shqetësime", u shpreh ai.

Geoana gjatë vizitës në Kosovë është takuar me presidenten Vjosa Osmani e me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq.

Intervistën e plotë me nënsekretarin e NATO-s mund ta ndiqni sonte (e enjte) në “Interaktiv”.