Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, i është përgjigjur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e quajtur “nomad”, pak pasi ai i quajti të tillë deputetët e opozitës.
Gjatë ditës, Kurti i cilësoi “nomadë” deputetët që ishin në opozitë, pasi sipas tij “s’duan që Kosova të ketë Kuvend”.
E Musliu-Shoshi ka thënë se “nomad” në skenën politike është veç Kurti, të cilin e ka akuzuar për premtime boshe dhe si udhëtar politik që zhduket kur duhet të përgjigjet.
“Në skenën politike, veç Albin Kurti është nomad! Pa vizion të qëndrueshëm, pa një adresë të përhershme për problemet e qytetarëve dhe pa asnjë përgjegjësi për dështimet e qeverisë së tij. Albini lëviz nga një premtim bosh te tjetri, por realiteti nuk e ndjek. Më tragjikja: në Kosovë nuk ka as pronë, as nuk rrit fëmijë, e as varr nuk ka! Kosova ka nevojë për udhëheqje të rrënjosur në të vërtetën JO për udhëtarë politikë që zhduken kur duhet të përgjigjen!” ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas terminologjisë zyrtare, popujt nomadë janë grupe njerëzish që s’kanë vendbanim të përhershëm dhe që jetojnë duke udhëtuar vazhdimisht.