Për aktgjykimin e Supremes janë përplasur në distancë përfaqësues të të dy taborëve politikë. Ministri në detyrë, Hekuran Murati, ka thënë se gjyqtarët janë shërbyer edhe me terminologji të opozitës, dhe kjo e ka nxitur reagimin e oponentëve në PDK e LDK.
Ministri në detyrë, Hekuran Murati, dhe ligjvënës opozitarë janë përplasur në distancë, për vendimin e Gjykatës Supreme që zhvlerësoi një udhëzim administrativ, nën arsyetimin se është nënshkruar nga ministri që është edhe deputet.
Murati ka thënë se interpretimi i gjyqtarëve të Supremes është në kundërshtim me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, dhe i ka akuzuar gjyqtarët se janë shërbyer edhe me terminologji të opozitës.
“Në vend se t’i lexonin statuset në ‘Facebook’ të deputetëve të opozitës, do të mjaftonte që tre gjykatësit e Supremes ta lexonin Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, që të mos bëheshin horë kaq publikisht me vendime absurde si ky për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për Arkat Digjitale Fiskale”, ka shkruar Murati në një postim në Facebook.
Ai ka cituar edhe pjesë të aktgjykimit të Kushtetueses ku flitet për ushtrimin e funksionit të deputetit.
“Pra, meqenëse seanca konstituive ende s’ka përfunduar, sipas pikës 1 të Konstatimit në Aktgjykimin KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese, deputetët ende nuk janë mveshur me funksion, dhe rrjedhimisht as nuk kanë mundësi ta ushtrojnë funksionin. E pa e ushtruar funksionin, s’mund të ketë as konflikt funksional apo papajtueshmëri, sipas Nenit 72 të Kushtetutës”, ka shkruar ai.
Pas këtij interpretimi të ministrit në detyrë, ka reaguar deputeti i PDK-së, Përparim Gruda. Ai ka thënë se interpretimi i aktgjykimit të Kushtetueses është i pasaktë.
“Ka dallim thelbësor midis fillimit të ushtrimit të mandatit dhe ushtrimit të plotë të funksionit. Momentalisht, deputetët janë duke e ushtruar vetëm një pjesë të funksioneve të tyre, sepse Kuvendi nuk është konstituar ende, por ata janë deputetë, sepse ndryshe as nuk do të kishin mundur të hynin në sallën e Kuvendit. Deputeti Murati i ngatërron konceptet, si: fillimi i mandatit, ushtrimi i pjesshëm i funksioneve dhe ushtrimi i plotë i funksioneve parlamentare”, ka vlerësuar Gruda.
E, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë thirrje për veprim të organeve të drejtësisë, pasi ka konsideruar se ministrat që kanë edhe funksione deputeti, janë duke e shkelur ligjin.
“Duke e bllokuar Kuvendin e Kosovës, duke e rënduar jetën e qytetarëve për çdo ditë, deputetët e Vetëvendosjes po e sfidojnë rendin ligjor e kushtetues të Kosovës. Duke e ditur se po i shkelin ligjet dhe kushtetutën dhe rrjedhimisht po kryejnë vepra penale, e kanë nisur fushatën e viktimizimit dhe propagandës, se gjyqësori po e përgatit arrestimin e “ministrave” në llogari të partive të tjera”, ka theksuar Bajrami.
Të martën, Supremja e ka shfuqizuar udhëzimin administrative për pajisje e sisteme fiskale, të nënshkruar nga Murati.
Sipas arsyetimit të Supremes, nxjerrja e udhëzimit administrativ nga dikush që e ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit, është e kundërligjshme dhe i shkel dispozitat kushtetuese.