Seanca për gazin lotësjellës ku akuzohen katër ish-deputetë për mbajtje në pronësi, posedim, kontroll të paautorizuar të armëve është shtyrë në mungesë të të akuzuarës Albulena Haxhiu, ministre në detyrë e drejtësisë.
Gjyqtari Bujar Ahmeti ka thënë se Haxhiu e ka njoftuar gjykatën më datën 5 maj se nuk mund të vijë shkaku i seancës konstituive të Kuvendit e Kosovës.
Gjykata e shtyu seancën për datën 20 qershor.
Në seancën e kaluar prezente ishte Haxhiu, kurse mungonin të akuzuarit e tjerë.
Në këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016. Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ish-deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim. Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.