Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Ndeshja ndaj Getafes, Muriqi kërkon golin dhe ruhet nga suspendimi

Vedat Muriqi

Mallorcan e presin tri finale me synim për të siguruar mbetjen në La Liga.

Ndeshjen e parë e ka të mërkurën prej orës 21:30 ndaj Getafes në udhëtim. Ndeshja  i takon xhiros së 36-të prej 38 sa janë gjithsej në kampionatin spanjoll.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mallorca i ka 39 pikë dhe është pjesë e një gare të fortë e me shumë skuadra që synojnë të shmangin rënien. Getafe është lart në tabelë me 45 pikë.

Tifozët e Mallorcas shpresojnë që Vedat Muriqi të jetë në formë të mërkurën mbrëma. Ai shënoi golin e 22-të të edicionit, të dielën ndaj Villarrealit. Por në të njëjtën ndeshje u ndëshkua me karton të verdhë. Tani i ka katër kartonë të verdhë dhe është vetëm një larg suspendimit.

32-vjeçari do ta kërkojë golin ndaj Getafes e në të njëjtën kohë do të ruhet nga ndëshkimi që do ta linte jashtë më pas.

Mediumi i afërt me Mallorcan, Ultima Hora, ka shkruar se Muriqi është i pazëvendësueshëm për skuadrën.

“Katër kartonët e verdhë do ta detyrojnë reprezentuesin e Kosovës të luajë në limitin e tij për të shmangur humbjen e ndonjë prej betejave të fundit për të mbetur në La Liga. Sulmuesi po arrin në fazën e fundit të garës nën një tendosje fizike. Gati 3000 minuta që ai ka grumbulluar në La Liga këtë sezon, duke luajtur praktikisht çdo minutë, po ndikojnë negativisht në këmbët e sulmuesit. Ai po kalon vit rekord që e vendos vetëm dy gola pas golashënuesit më të mirë, Kylian Mbappe”, ka shkruar Ultima Hora të martën.

Mbappe po e sanon një lëndim, kështu që Muriqi është në pozitë të mirë që të shpallet realizatori më i mirë i elitës spanjolle, që do të ishte sukses i jashtëzakonshëm.

Menjëherë të dielën Mallorca luan në udhëtim ndaj Levantes. Pra skuadrën e Muriqit e pret një javë vendimtare, ndërkohë që ndeshjet në udhëtim nuk i kishte pikë të fortë këtë edicion.

Në xhiron e fundit Mallorca e pret Oviedon, më 23 maj. Por Muriqit me shokë u duhen pikët në dy ndeshjet e kësaj jave për të shpresuar në qëndrim në La Liga.

“Janë tri pikë për t’i fituar në Getafe. Duhet të luajmë për tri pikë. Vetëm pas të mërkurës mund të mendojmë për ndeshjen e fundjavës. Dua që lojtarët të lënë gjithçka në fushë”, ka thënë trajneri i Mallorcas, Martin Demichelis.