Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shala: Zgjidhja e krizës politike kërkon marrëveshje mes partive

hasan shala

Avokati dhe ish-gjyqtari i PZAP-it, Hasan Shala, ka thënë se derisa të konstituohet Kuvendi, nuk do të ketë as Qeveri e as president.

Ai ka shtuar se më pas mbetet çështje nëse do të zgjidhet presidenti apo qeveria, duke theksuar se Kushtetuta nuk e parasheh këtë situatë dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet me mirëkuptim.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Shalës, në rrethanat aktuale, ku partitë janë të përçara, duhet të zgjidhet presidenti.

“Derisa ka marrëveshje mes partive nuk do të ketë kompromis. Duhet të ketë marrëveshje, mirëbesim. Këta munden me qenë kundërshtarë politikë, por nuk janë armiq. Duhet të ketë president që i mbron interesat e qytetarëve, pa marrë parasysh kush është kryeministër”, ka thënë ai në "60 Minuta" të KTV-së.

Sipas tij, në situatën aktuale nuk ka zgjidhje më të mirë sesa të ndryshohet Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet.

“Por është shumë e vështirë sepse duhet edhe vota e komuniteteve pakicë”, ka thënë ai.

Duke folur për procesin zgjedhor, Shala ka thënë se ankesat pas shpalljes së rezultateve e vonojnë certifikimin e rezultatit zgjedhor, por ka shtuar se është e drejtë e palëve të ankohen.

Lidhur me ankesat e dy kandidatëve të PDK-së, ai ka thënë se PZAP-ja i ka refuzuar dy herë, pasi ka vlerësuar se nuk ka prova, duke shtuar se pret që i njëjti vendim të merret sërish.

Shala ka thënë se ka pasur efekt të madh kur Prokuroria dhe Gjykata kanë marrë iniciativa për t’i gjykuar manipuluesit, për të cilët thotë se në zgjedhjet e kaluara kanë qenë me bollëk.

“Tani edhe vetë komisionarët janë mbushur mend dhe nuk do t’i përsërisin veprimet e kundërligjshme që i kanë bërë më herët”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se ka ekzistuar një praktikë gjyqësore në Gjykatën Supreme, ku ishte konstatuar se vota e shqiptarëve nuk lejohet të shkojë te minoriteti.

“Kam dëgjuar se në Gjakovë nuk ka serb dhe numri i votave është shumë i madh. Nëse vërtetohet se këto vota në një vend ku jetojnë 100 për qind shqiptarë i ka marrë Nenad Rashiqi, mendoj që është shkelje dhe Supremja duhet të marrë vendim t’i anulojë ato vota”, ka thënë ai.

Sipas tij, votat e shqiptarëve nuk duhet të lejohen të vendosin për deputetin e një komuniteti pakicë.

Lista Serbe sot ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Sipas Listës Serbe, janë bërë “parregullsi serioze që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve të rezervuara për popullin serb”. Në ankesë pretendohet se partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e udhëhequr nga Nenad Rashiq, ka siguruar një numër të konsiderueshëm votash nga votues shqiptarë.