Në Aleancë kanë thënë se kandidatura e mundshme e Ramush Haradinajt për president është mundësi për zhbllokimin e situatës politike në vend. Por, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se arritja e një marrëveshjeje mes partive të ish-opozitës për një kandidat të përbashkët është pak e mundshme. Nga partitë politike kërkohen kompromise.
Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri, ka shpjeguar pozicionin e ish-kryetarit të partisë, Ramush Haradinaj, i cili javën e kaluar shprehu gatishmëri për të kandiduar për president.
Sipas Tahirit, nëse Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike mbështesin Haradinajn, atëherë vendi zhbllokohet, pasi edhe Vetëvendosja mund të garojë me një kandidat.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ramush Haradinaj asnjëherë nuk ka kërkuar votë, asnjëherë nuk ka thënë unë jam kandidati. Ka thënë për t’u zhbllokuar Kosova, nëse opozita e mbështet kandidaturën e tij atëherë do të ketë garë zgjedhore. Pra, ky pozicion së paku do të zhbllokonte Kosovën, nuk dihet kush do të fitonte, mirëpo do të kishte një kandidat për president nga opozita dhe një kandidat prej tyre”, ka thënë Tahiri.
Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pasi Legjislatura X dështoi të zgjedhë presidentin.
Për çështjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota – apo dy e treta e deputetëve – në dy rundet e para të votimit dhe presidenti i ri do të mund të zgjidhej me 61 vota në rundin e tretë.
LVV-ja ka 53 mandate, e tri partitë e tjera shqiptare 47.
Në rast se dy kandidatë garojnë për të marrë besimin e deputetëve, një nga partia më e madhe dhe një nga ish-opozita, atëherë arritja e kuorumit për votim nuk do të përbënte problem.
Përcaktuese do të ishin 20 votat e deputetëve të komuniteteve joshumicë.
Por, sipas njohësit të zhvillimeve politike, Fitim Gashi, një version i tillë është thuajse i pamundur.
Gashi thotë se tri partitë e ish-opozitës është e vështirë të mblidhen rreth një kandidati, qoftë ai Haradinaj apo dikush tjetër.
“AAK-ja është partia e vetme që deri tani ka dhënë propozime qoftë për mundësinë e një emri që do të mund ta nxirrte opozita si kandidat konsensual për president, qoftë edhe pikat programore që i prezantoi, që duhet t’i ketë secila qeveri në këmbim të votave të AAK.-së Por dihet cila është fuqia e AAK-së dhe krejt kjo varet se cili do të jetë disponimi i partive të tjera më të mëdha opozitare, në këtë rast PDK-së dhe LDK-së. E në bazë të zhvillimeve të brendshme që po shihet që janë brenda këtyre partive, nuk është e sigurt që mund të ketë një kandidat konsensual me të cilin do të mund të garonte, ose të mund të dilte opozita në seancën ku do të votohej për presidentin”, ka deklaruar Gashi.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë se ngërçet institucionale që po shfaqen në Kosovë janë probleme që burojnë nga vetë sistemi kushtetues i vendit.
Ai ka thënë se kësaj here, kompromiset do të jenë të nevojshme.
“Problemi kryesor është në vetë natyrën e sistemit institucional që përdorni. Ju përdorni një sistem parlamentar ku presidenti nuk zgjidhet drejtpërdrejt, por zgjidhet nga parlamenti, qeveria duhet të miratohet në parlament. E dini, holandezët, të cilët kanë shumë më tepër përvojë me këtë sesa ju, kanë edhe ata probleme të mëdha herë pas here. Nuk është e pazakontë në sistemet parlamentare, por nuk ka qenë mirë për Kosovën. Tri zgjedhjet nuk kanë zgjidhur asgjë, në thelb”, ka deklaruar ai.
Moszgjedhja e presidentit të ri 60 ditë pas konstituimit të kuvendit e çon vendin sërish në zgjedhje.
Kuvendi duhet të konstituohet 30 ditë nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, që po mbahet peng nga 5 ankesa.