Arbëri

Muhaxhiri: Qytetarët të vendosin, VV-ja ose 30 ose 50 për qind

Analisti politik Artan Muhaxhiri ka thënë se qytetarët në zgjedhjet e ardhshme duhet t’i ndryshojnë përqindjet e partive dhe që Lëvizjen Vetëvendosje që në shkurt mori 42 për qind, ose ta ulin në 30 ose ta ngritin në 50 në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sipas tij, kjo do të ishte e vetmja mundësi për të shmangur bllokadë të re institucionale. Ai ka thënë se edhe opozita duhet ta shfrytëzojë momentin pasi sipas tij, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, “s’ka qenë kurrë më i cenuar”.

“Nuk ka sjellë as s’ka ide si t’i tejkalojë problemet ekonomike dhe prandaj edhe opozita vetëm nëse dëshiron t’ia falë prapë pushtetin sepse çdo kush ka arsye që ta mposhtë Kurtin – po them bashkërisht. S’pres që VV-ja të bjerë në 20 për qind, por dallimi do të jetë vetëm nëse bie nën 40 për qind. Edhe qytetarët ose duhet t’ia japin 30 ose 50. Do të ndryshojë i gjithë konteksti dhe ai nuk do të ketë fytyrë të kërkojë pushtet të plotë. Çdo gjë në mes është vetëm vazhdimësi e bllokadës”, ka thënë Muhaxhiri në emisionin “60 Minuta” në KTV të enjten. “Vetëm qytetarët mund ta nxjerrin nga kjo çoroditje vendin”, ka thënë tutje ai.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 29 do të vazhdojë në fushatë me gjuhë populiste, pseudopatriotike e viktimizim. Ai ka thënë se partia më e madhe në vend nga zgjedhjet e shkuara do të vazhdojë ta përmendë veriun, urat e Listën Serbe në fushatë. “I kanë pasur pesë vjet kohë me buxhet miliardësh dhe nuk kanë sjellë ndryshimin që e kanë premtuar”, ka thënë ai.

Muhaxhiri ka thënë se ekziston edhe rreziku që gjuha e agravuar e me emocionalitet të shkojë deri në pikë të konflikteve.

Ai ka komentuar edhe çështjen e votimit të diasporës për fundvit. Sipas tij, kjo kategori e qytetarëve është më emocionale dhe partitë konsiderojnë se e kanë më të lehtë t’ua marrin votat për shkak se ata nuk kanë “mendim kompleks politik të bazuar në ngjarjet ditore në Kosovë”.

Ai e ka konsideruar të çuditshme dhe bizare datën e 28 dhjetorit për organizimin e zgjedhjeve.

Në mosformimin e institucioneve që nga 9 shkurti e deri tash dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja, Muhaxhiri ua ka atribuuar të gjitha partive. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje si e para ka arritur “ta luajë lojën sikur i ka votat”, ndërsa për partitë opozitare ka thënë se i janë frikësuar Kurtit por edhe fuqisë së liderëve brenda partive.

Muhaxhiri: VV-ja bashkëpunon me LDK-në vetëm nëse ia jep postin e kryeministrit Abdixhikut

Ai ka shtuar se VV-ja në rast të fitores së ngjashme e ka opsion vetëm LDK-në për bashkëpunim pas zgjedhjeve. E sipas tij, kjo mund të bëhet vetëm nëse ia jep postin e kryeministrit Lumir Abdixhikut të LDK-së.

“Me PDK-në e shoh të pamundur ta ketë një koalicion për shkak të ndasive shumë të mëdha edhe të figurave të rëndësishme të PDK-së dhe animozitetit që Kurti dhe VV-ja e kanë ndaj PDK-së”, ka thënë ai fillimisht. “E vetmja mundësi që VV-ja dhe LDK-ja të bashkëpunojnë është që t’ia japë Abdixhikut postin e kryeministrit. Ky do të ishte kushti i vetëm me të cilin Abdixhiku do të pranonte një bashkëpunim dhe kjo do ta hijezonte edhe gjithë atë ndryshim edhe moral edhe politik që do të bëhej si pasojë e bashkëpunimit të këtyre partive, pas të gjitha akuzave. Pra hamë turpin me bukë”.