Redaktori Besnik Krasniqi ka thënë se një qeveri pa Lëvizjen Vetëvendosje në këtë fazë është lehtë e mundur të krijohej, pasi partitë politike deri tash në opozitë mund të llogarisin lehtë edhe në votën e Listës Serbe, por nuk e bëjnë për shkak të ndikimit që mund të ketë në masë një bashkëpunim i tillë.
Në edicionin special të KTV-së, Krasniqi ka thënë se një lëvizje e tillë nuk bëhet pasi partitë politike kanë parasysh faktin se zgjedhjet janë të pashmangshme në pranverë.
“Një qeveri pa VV-në do të mund të bëhej shumë lehtë, madje partitë që kanë qenë në opozitë mandatin e shkuar do të mund të llogarisnin lehtë edhe në votën e Listës Serbe, por nuk e bënë sepse zgjedhjet janë të pashmangshme në pranverë dhe e dinë se cili është impakti i bashkëpunimit të mundshëm me Listën Serbe”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se qasja e subjekteve politike që është parë sot në seancë po mbahet pasi asnjë nga këto subjekte nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje si humbës.
“Kjo qasje është për faktin se asnjëra prej subjekteve politike nuk ka dashur që nga ky proces në zgjedhjet e reja që janë të pashmangshme në çdo version, të shkojë si humbës, për faktin që nuk kemi një koalicion qeverisës meqë në pranverë është në agjendë zgjedhja e presidentit. Ky është burimi i problemit. Sikur të mos ishte kjo, Vetëvendosje shumë më lehtë do të gjente partner. LDK-ja me të drejtë nuk i bashkohet në këtë fazë meqë e di se do të pësonte keq pas pak muajsh kur në rend dite vjen zgjedhja e presidentit”, ka thënë ai.
Jakaj: Një mori institucionesh rrezikojnë të paralizohen për pesë muaj nëse s’miratohet buxheti
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, ka deklaruar se shumë institucione rrezikojnë të paralizohen për pesë muaj në rast se nuk miratohet buxheti për vitin e ardhshëm.
Në edicionin special në KTV, Jakaj ka thënë se duhet të ketë qeveri brenda tri ditësh, qoftë edhe teknike, për të kaluar buxhetin deri më 31 tetor në Kuvend për miratim.
“Nëse duhet të miratohet buxheti, qeveri duhet të ketë nesër sepse më 31 tetor është afati i fundit kur duhet të dërgohet buxheti për Kuvend me Ligj për Menaxhim të Financave Publike, pas 31 tetorit Kuvendi mund të ndryshojë ligjin e ta bëjë një afat të ri, por ajo kërkon sërish 20-30 ditë kohë. Edhe nëse duhet qeveri teknike, qeveri të shpejtë për pasojë që ta kemi buxhetin deri më 31 tetor, qeveri duhet të ketë nesër apo deri në tre ditët e ardhshëm në mënyrë që të votohet një buxhet i caktuar. Një mori e institucioneve rrezikojmë të paralizohen për pesë muaj, çka nëse jep dorëheqje një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, pra të mbetet pa kuorum Kushtetuesja. As problemet e çështjet që i ka dërguar Lista Serbe e presidentja e Kosovës nuk mund të zgjidhen. Për këtë arsye do të duhej një qeveri teknike deri në kohën kur zgjidhet presidenti, të miratohet buxheti, përfshirje e komuniteteve joshumicë etj”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se seanca e sotme ku nuk u votua qeveria e re me mandatar Albin Kurtin, u duk seancë e dobët për nga pesha.
“Sot u duk një seancë e dobët për nga pesha për të cilën e ka një seancë për të votuar një kabinet qeveritar. Do të duhej që deputetët e opozitës së deritanishme të debatonin mbi atë që z.Kurti e prezantoi. Pavarësisht premtimeve që z.Kurti i ka bërë, ai e ka rritur numrin e ministrive dhe numrin e personave që do të ishin në krye të qeverisë. Një premtim i tillë sot u shkel, pamë sot propozime të caktuara për të cilët as nuk jemi në dijeni se çka mund të bëjnë ministri të caktuara”, ka thënë ai.

Avokati Musa paralajmëron se mund të ketë paralizë të plotë të shtetit
Avokati Skender Musa ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të veprojë shpejt me procedurat, pasi qeveria "Kurti 3" që u propozua nga mandatari Albin Kurti, nuk mori votat e mjaftueshme të dielën nga deputetët e Kuvendit. Musa ka paralajmëruar se do të ketë paralizë të plotë të shtetit.
“Presidentja të veprojë shpejt e të mos e lë vendin në këtë pozitë. Shumica e institucioneve janë me ushtrues detyre, buxhet nuk ka dhe do të ketë paralizë të plotë të shtetit”, ka thënë Musa në “Speciale” në KTV.
Të dielën, nuk është votuar qeveria “Kurti 3”, duke marrë vetëm 56 vota nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Presidentja do t'i ftojë partitë në diskutim për të parë nëse mund ndonjëra ta formojë shumicën parlamentare. Por, edhe partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, kanë thënë se nuk do të jenë në gjendje ta formojnë shumicën dhe vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja.
Dështimi për formimin e qeverisë së re ka nxitur shqetësime për funksionimin e shtetit vitin e ardhshëm. Mosmiratimi i Buxhetit për vitin 2026, sipas vlerësimeve të deputetëve dhe ekspertëve, mund të çojë në pezullim të pagesave publike dhe të investimeve kapitale.
Muhaxhiri: Mori fund një kapitull i mbrapsht i politikës kosovare
Analisti politik Artan Muhaxhiri ka thënë se sot, me mosvotimin e qeverisë “Kurti 3”, ka marrë fund një kapitull i mbrapsht i politikës kosovare.
Ai në “Speciale” në KTV, ka thënë se periudha që nga zgjedhjet e shkurtit e deri më tash ishte përvojë jashtëzakonisht negative. Ai ka thënë se nuk ka më mundësi të përsëritet kjo përvojë.
“Mendoj se sot ka marrë fund një kapitull i mbrapsht i politikës kosovare, kapitull shumë i poshtër, i dëmshëm dhe krejtësisht në shpërputhje me realitetin. Një kapitull që ka tentuar me krijuar një realitet paralel. Kapitull që ka rezultuar me qëllimin kryesor të akterëve vetëm për me fajësuar njëri-tjetrin, e ka pasur zero vullnet për konstruktivitet e për gatishmëri për bashkëpunim. Po ashtu kishte zero ndjeshmëri ndaj nevojave të qytetarëve...Ishte përvojë jashtëzakonisht negative, që realisht nuk ka mundësi më të kthehet, pasi duhet të përsëriten të gjitha parakushtet që e kanë sjellë realisht. Mendoj se pas ditës së sotme dhe pas gjithë kësaj sage nëntëmujore, më nuk do të jetë e mundshme”, ka thënë Muhaxhiri.