Arbëri

Muhaxhiri: Kushtetuesja, bastioni i fundit i madh i pafituar nga VV-ja

Artan Muhaxhiri

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese mbetet institucioni i vetëm i rëndësishëm që, sipas tij, nuk është nën ndikimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Muhaxhirit, Vetëvendosja e kontrollon Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën, ndërsa Gjykata Kushtetuese përbën “bastionin e fundit të madh” jashtë këtij ndikimi. 

“Gjykata Kushtetuese ka mbetur bastioni i fundit i madh i pafituar nga Lëvizja Vetëvendosje. D.m.th e kanë Kuvendin, Qeverinë, Presidencën dhe vetëm Gjykata Kushtetuese u ka mbetur jashtë domenit”, ka thënë ai të enjten në “Interaktiv” të KTV-së. 

Ai tutje shprehu bindjen se Vetëvendosja do të tentojë të gjejë forma të reja për të bllokuar proceset institucionale, përfshirë konstituimin e Kuvendit, e potencialisht edhe formimin e Qeverisë.

“Jam i bindur se Vetëvendosja do ta zbulojë një udhë të re për ta bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit, ndoshta edhe të Qeverisë sepse imagjinata e tyre është shumë e bujshme dhe e avancuar në gjetjen e këtyre ideve për të bllokuar”, ka shtuar ai.

Muhaxhiri ka kritikuar kërkesat e LVV-së në lidhje me përfaqësimin e komuniteteve, duke i cilësuar ato si jodemokratike.

“Nuk ka logjikë demokratike, kjo çka ka kërkuar Vetëvendosja është 100 për qind jodemokratike që shumica ta zgjedhë përfaqësuesin politik të pakicës”, ka thënë Muhaxhiri. 

Derisa ka folur për opozitën, Muhaxhiri ka thënë se ajo po kalon një fazë të vështirë pas rezultatit zgjedhor.

“Është zhgënjyese kjo situatë kur asnjëra palë nuk ka guxim, nuk ka ide që të ketë një qëndrim të qartë. Opozita është e tronditur nga rezultati zgjedhor, është në një periudhë posttraumatike dhe janë të tronditur edhe nga mënyra se sa me lehtësi i ka fituar z.Kurti zgjedhjet pas gjithë asaj bllokade njëvjeçare. Nuk besoj që partitë politike në Kosovë, veçanërisht PDK-ja dhe LDK-ja kanë një lidership që do të mund të rikuperohej në kohë kaq të shpejtë, veçanërisht LDK-ja që ka probleme të mëdha, PDK-ja po ashtu sytë i ka nga Haga. Nuk kanë asnjë plan dhe po e presin z.Kurti”, ka thënë ai.