Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministria vendos emrat e rinj të rrugëve në veri, Komuna i mbulon

Ministria vendos emrat e rinj të rrugëve në veri, Komuna i mbulon

Foto: Kossev

Ministria e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor ka vendosur tabelat e emrave të rinj të disa rrugëve në veri të Kosovës. E menjëherë, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut i ka mbuluar shenjat, para se policia t’i hiqte mbulojat.

Në pamjet e publikuara nga mediumi lokal në gjuhën serbe “Kossev”, në rrethin në hyrje të Mitrovicës së Veriut janë vendosur shenjat me emrat “Zoran Gjingjiq” dhe “Isa Boletini”. E pranishme në procesin e vendosjes së tabelave ka qenë ministrja në detyrë Fitore Pacolli.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pacolli ka thënë për gazetarët aty se qytetarët kanë qenë të informuar. Ajo ka thënë se emrat janë miratuar nga Asambleja Komunale vitin e shkuar. Sipas saj, vendimi ishte propozuar nga një komision që ka punuar disa muaj për emrat e rreth 80 rrugëve, ndërsa Asambleja e ka miratuar propozimin.

“Ne tani si Ministri po i vendosim, është vetëm proces teknik që ka mbetur”, ka thënë Pacolli.

Menjëherë pas këtij veprimi, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, i mbuloi shenjat e rrugëve.

“Sot jemi përballë një propagande tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje. Ata i vendosën tabelat në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Siç dihet, më 30 janar ne kemi miratuar një vendim që e ka shfuqizuar aktin e mëparshëm për riemërtimin e rrugëve, sepse ishte miratuar në kundërshtim me ligjit, nuk pati debat publik dhe nuk pati komision shumë etnik. Asnjë serb nuk mori pjesë në punën e atij komisioni, kështu që vendimet ishin absolutisht të paligjshme”, ka thënë ai.

Pasi i mbuloi shenjat e vendosura nga Ministria, ndërhyri Policia e Kosovës që i hoqi mbulojat.

Vendimi për ndryshimin e 87 rrugëve në këtë komunë ishte miratuar më 25 gusht 2025. Atë kohë Mitrovica e Veriut udhëhiqej nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndërkaq Lista Serbe u rikthye në udhëheqje në fundvitin e shkuar.