“Një doktor i mirë nuk e ka në dorë ta rregullojë sistemin shëndetësor, por një sistem i mirë shëndetësor prodhon qindra doktorë të tillë”. Me këtë reflektim, gazetarja dhe autorja Mira Kazhani përshkruan përvojën personale mes shëndetësisë shqiptare dhe asaj italiane pas diagnostikimit me kancer të gjirit, në bashkëbisedimin me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË.
Kazhani ndau kontrastin e madh mes dy realiteteve: nga njëra anë mjekët shqiptarë që përballen me dhjetëra pacientë në ditë, nga ana tjetër sistemi italian ku një mjek viziton vetëm 7 pacientë — dhe ku njerëzillëku nuk është luks, por pjesë e mekanizmit.
Ajo tregon se pavarësisht profesionalizmit individual, në Shqipëri mbizotëron “rregulli i xhunglës”, ndërsa në Itali gjithçka është e ndërtuar që pacienti të mos humbasë, as fizikisht, as emocionalisht.
“Unë jam shëruar në Shqipëri, Zoti më ka shpëtuar, sepse e kapa herët sëmundjen. Por në Itali është mjekësia humaniste. Aty sistemi ua jep dinjitetin mjekëve, ua jep qetësinë që t’i përgjigjen pacientit para se t’i pyesësh”, rrëfen Kazhani.
Kazhani ndan edhe momentet e dyshimit personal — nëse qëndrimi në Shqipëri ishte zgjedhja e duhur — dhe pohon se e vërteta e saj do të kishte qenë më pak e dhimbshme nëse do të kishte qenë paciente në Itali.
Ajo rrëfen se në Itali edhe asistenti i doktorit (“Giuseppe i vogël”) ishte i kujdesshëm, proaktiv dhe i përkushtuar në komunikim.
“Dhe Giuseppe i vogël ishte shumë i kujdesshëm që të më jepte mua informacion dhe kur unë nuk e pyesja. Pra, në Shqipëri, me gjithë dashurinë, mua më duhej t’i pyesja mjekët. Nuk të shkruan askush përpara. Ne jemi njerëz me zemër të ngrohtë, por na ka munguar sistemi. Sistemi që Italia e ka”, ka thënë gazetarja.