Në episodin e 31-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, e ftuar është gazetarja dhe autorja nga Shqipëria, Mira Kazhani.
Vizita e parë e Surroit në Shqipëri “për ta ndihmuar tranzicionin drejt demokracisë”
Në bashkëbisedimin me gazetaren dhe autoren Mira Kazhani në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi kujtoi vizitën e parë në Shqipëri, në shkurt të vitit 1991 — një javë që e përshkruan si jashtëzakonisht dramatike për vendin dhe për të personalisht.
“Erdha pikërisht gjatë grevës së studentëve të Universitetit asokohe të quajtur ‘Enver Hoxha’, disa ditë para se të rrëzohej monumenti i Enver Hoxhës”, ka thënë Surroi.
Ai tregoi se vizita e tij kishte qëllim të qartë politik,
“Misioni ynë ishte të bisedonim me pushtetin dhe opozitën. Interesi i Kosovës ishte që Shqipëria të kalonte tranzicionin pa dhunë, të hapej rruga për zgjedhje të lira dhe demokraci”, ka thënë Surroi.
Në Tiranë, ai qëndroi rreth gjashtë ditë, ku pa nga afër momentet vendimtare të ndryshimit formimin e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike, mitingun e parë të opozitës në Kavajë, lëvizjet e njerëzve drejt Durrësit, që prisnin një anije për t’u larguar dhe grevën e studentëve që vazhdonte pandërprerë.
“Ishte një javë e jashtëzakonshme e një vendi që po ndryshonte para syve”, thotë ai, duke shtuar se gjithë ato përjetime po i përmbledh në librin e tij të radhës.
Kur Kazhani e pyeti nëse ka fotografi nga ajo kohë, Surroi u përgjigj me humor: “Unë nuk kam fotografi… ndoshta i ka Sigurimi i Shtetit”.
I pyetur për marrëdhëniet personale me politikanët në Shqipëri, Surroi shmangu emrat, por theksoi dy parime që ka ndjekur gjatë gjithë karrierës.
“Është e vështirë të ruash miqësi në politikë. Por jam përpjekur të mbaj komunikim të hapur, pa dorëza, dhe mbi të gjitha të ruaj konfidencialitetin e bisedave. Nëse një njeri në sferën publike flet me ty, nuk ke të drejtë t’ia publikosh mendimet pa marrëveshje”, ka deklaruar publicisti.
“Mes dy sistemeve”, Mira Kazhani tregon diferencat mes shëndetësisë italiane dhe shqiptare
“Një doktor i mirë nuk e ka në dorë ta rregullojë sistemin shëndetësor, por një sistem i mirë shëndetësor prodhon qindra doktorë të tillë”. Me këtë reflektim, gazetarja dhe autorja Mira Kazhani përshkruan përvojën personale mes shëndetësisë shqiptare dhe asaj italiane pas diagnostikimit me kancer të gjirit, në bashkëbisedimin me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË.
Kazhani ndau kontrastin e madh mes dy realiteteve: nga njëra anë mjekët shqiptarë që përballen me dhjetëra pacientë në ditë, nga ana tjetër sistemi italian ku një mjek viziton vetëm 7 pacientë — dhe ku njerëzillëku nuk është luks, por pjesë e mekanizmit.
Ajo tregon se pavarësisht profesionalizmit individual, në Shqipëri mbizotëron “rregulli i xhunglës”, ndërsa në Itali gjithçka është e ndërtuar që pacienti të mos humbasë, as fizikisht, as emocionalisht.
“Unë jam shëruar në Shqipëri, Zoti më ka shpëtuar, sepse e kapa herët sëmundjen. Por në Itali është mjekësia humaniste. Aty sistemi ua jep dinjitetin mjekëve, ua jep qetësinë që t’i përgjigjen pacientit para se t’i pyesësh”, rrëfen Kazhani.
Kazhani ndan edhe momentet e dyshimit personal — nëse qëndrimi në Shqipëri ishte zgjedhja e duhur — dhe pohon se e vërteta e saj do të kishte qenë më pak e dhimbshme nëse do të kishte qenë paciente në Itali.
Ajo rrëfen se në Itali edhe asistenti i doktorit (“Giuseppe i vogël”) ishte i kujdesshëm, proaktiv dhe i përkushtuar në komunikim.
“Dhe Giuseppe i vogël ishte shumë i kujdesshëm që të më jepte mua informacion dhe kur unë nuk e pyesja. Pra, në Shqipëri, me gjithë dashurinë, mua më duhej t’i pyesja mjekët. Nuk të shkruan askush përpara. Ne jemi njerëz me zemër të ngrohtë, por na ka munguar sistemi. Sistemi që Italia e ka”, ka thënë gazetarja.
Kazhani rrëfen momentet e para pas diagnostikimit me kancer të gjirit: Vendimet i mora vetë
Në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, gazetarja dhe autorja nga Shqipëria, Mira Kazhani, ka rrëfyer momentet e para pas diagnostikimit me kancer në gji në nëntor të vitit 2024—një periudhë që, siç thotë ajo, e ndau jetën e saj në “para” dhe “pas”.
“Nga 2 nëntori deri më 4 shkurt, ishin muajt më të vështirë të jetës sime”, thotë Kazhani, teksa tregon se libri i saj i ri lindi pikërisht nga nevoja për të shëruar traumën.
“Trupi ynë është kujtesa jonë më e sinqertë. Shkrimi ishte mënyra ime për të mos mbetur peng i frikës”, shtoi ajo.
Ajo pranon se diagnoza e ballafaqoi për herë të parë me idenë e vdekjes.
“Në jetën e parë, ne mendojmë se jemi të pavdekshëm. Por kush e takon sëmundjen dhe kthehet, ka dy jetë”, ka rrëfyer gazetarja.
Në bisedë, ajo rikthen momentin kur mjeku i saj, kirurgu Artan Bodeci, i dha lajmin se duhej të bënte mastektomi.
“E dija vetëm nga Angelina Jolie ç’do të thoshte. Dhe kuptova menjëherë që po më thoshte se duhet të hiqja gjinjtë… një vendim që për një grua është ndoshta më i vështiri”, ka thënë ajo.
Më e rëndë se kaq, sipas saj, ishte vendimi për të mos ia treguar menjëherë prindërve.
“Ka qenë vendimi më i rëndë emocional. E dija që do i dhembte më shumë se mua”, tregoi tutje Kazhani.
Kazhani tregon se pavarësisht mbështetjes së njerëzve të afërt, disa vendime nuk mund t’i marrë askush tjetër.
“Kjo është një sëmundje ku njeriu, sidomos në momentet vendimtare, mbetet vetëm. Vendimet i kam marrë vetë. Dhe doja të isha e kthjellët, prandaj nuk mora qetësues”, ka përfunduar Kazhani.