Për disa ditë me radhë bizneset nga vendi dhe nga rajoni do të paraqesin produktet e tyre në panairin e përgjithshëm “Prishtina 2022”. Në ceremoninë e hapjes së tij, bizneset kanë kërkuar përkrahje nga Qeveria për promovimin dhe certifikimin e produkteve të tyre. Edhe në Panairin e Turizmit është kërkuar që këtij sektori t’i jepet prioritet dhe të investohet në tërheqjen e turistëve
Mbi 100 biznese prodhuese nga vendi dhe rajoni, si dhe 80 të tjera që veprimtaritë i ushtrojnë në fushën e turizmit, kanë shfaqur produktet dhe ofertat e tyre në dy panaire të ndryshme, të cilat janë hapur të enjten në Prishtinë.
Në panairin e përgjithshëm “Prishtina 2022”, i cili do të jetë i hapur deri më 8 maj, bizneset kanë kërkuar përkrahje nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, e ka quajtur organizimin si panair i rimëkëmbjes pas krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19.
“Ky është panairi i rimëkëmbjes dhe si i tillë meriton që të vlerësohet më shumë se çdo panair tjetër që është mbajtur në rrethana normale. Edhe për këtë panair është një proces i ri, i rimëkëmbjes dhe i rikthimit”, ka theksuar Rukiqi.
Ai ka thënë se gjatë këtij viti pjesëmarrëse janë mbi 100 biznese, ndërkaq ka shprehur optimizmin se pret që në vitin e ardhshëm numri të dyfishohet.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka bërë të ditur se institucioni që ajo drejton do të bëjë më të mirën në përkrahjen e nevojave të tregut.
“Kosova është shumë e pasur në aspektin e mineraleve, natyrës, resurseve njerëzore, që është faktori më i rëndësishëm ekonomik. E di që keni nevojë t’i certifikoni produktet e juaja për të qenë furnizues për kompani evropiane”, ka theksuar ajo.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, ka bërë thirrje që të vlerësohet lart bashkëpunimi midis Kosovës dhe Shqipërisë, teksa njëkohësisht ka kërkuar që bashkëpunim të ketë edhe me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë.
“Është një ndjesi shumë interesante këtë vit rikthimi i aktiviteteve të Kosovës dhe rajonit me një pikësynim të qartë. Është shumë i rëndësishëm qëllimi i mbajtjes së këtij aktiviteti. Është i rëndësishëm bashkëpunimi në Evropë, në botë, por më me rëndësi në rajonin tonë. Evropa për ne është shumë e rëndësishme, por pjesë e Evropës është edhe Ballkani. Duhet zhdukur sa më shpejt barrierat që të veprojmë si një treg rajonal. Është shumë e rëndësishme të theksoj sot se të gjitha marrëveshjet janë bërë mes dy qeverive gjatë këtij 6-7-vjeçari. Sot Kosova dhe Shqipëria eksportojnë mbi 420 milionë euro”, ka thënë Minxhozi.
Ruzhdi Kurtishaj, kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike, ka deklaruar se duhet që të gjithë të kërkojnë më shumë nga ministrja Hajdari për sa i përket përkrahjes së këtyre panaireve.
“Është ditë e veçantë që sot jemi bashkuar për të promovuar panairin e përgjithshëm 2022 në kuadër të OEK-së. Ky panair i ka munguar Kosovës. Dua t’i inkurajoj të gjithë që janë prezentë të kërkojmë një përkrahje më të fuqishme nga ministrja Hajdari që në të ardhmen të organizohen panaire më të fuqishme qoftë në ekonomi , bujqësi, arsim e të tjera”, ka theksuar ai.
Në Panairin e Dytë për Turizmin, ministrja Hajdari ka theksuar se fusha e turizmit është vënë si prioritet kyç i ministrisë që drejton, por nuk ka përmendur masat konkrete që janë ndërmarrë në këtë drejtim.
“Është shumë me rëndësi që t’iu tregoj që së bashku me shumë akterë të turizmit me një koordinim të plotë ne po i sjellim në pah vlerat tona kulturore, sidomos trashëgiminë kulturore, të sjellim vlerat tona në pah edhe për turizmin malor, rural, por mos t’i harrojmë edhe artizanalet dhe kulturën e vjetër që populli e ka”, ka thënë ajo.
Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, ka thënë se Panairi e vendos Prishtinën në qendër të komunikimit rajonal.
“Ky panair sivjet po na ndihmon me praninë e bizneseve prej Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, e me një zgjerim të tij sivjet kemi reprezentues edhe prej Italisë...Vërtet urojmë që liberalizimi i vizave të bëhet realitet i Kosovës, sepse është interes i drejtpërdrejtë i çdo qytetari të Kosovës, jo thjesht për arsye turizmi, por edhe për mundësinë e shtuar që u krijon lidhjeve të reja mes bizneseve”, ka theksuar ai.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka spikatur aktivitetet sportive që zhvillohen në Kosovë dhe jashtë saj, ndërsa ka thënë se ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ekonomisë dhe se nga këto aktivitete përfiton shumë sektori i hotelerisë.
“Sporti dhe turizmi lidhen ngushtë njëri me tjetrin pasi përmes aktiviteteve sportive promovojnë edhe turizmin në vendin tonë. Një nga qëllimet e Komitetit Olimpik të Kosovës, por edhe federatave sportive në vend janë edhe organizimet e garave të ndryshme ndërkombëtare, ku krahas sportit hoteleria do të ishte përfituesi më i madh i këtyre ngjarjeve ndërkombëtare”, ka bërë të ditur Krasniqi.
Qytetarët do të kenë mundësi që edhe gjatë ditës së premte të njoftohen mbi ofertat e vendeve të rajonit për fushën e turizmit.