Arbëri

Mbi 350 ankesa nga qytetarët që nuk i pëlqejnë emrat e rrugëve të tyre

Qytetarët po kërkojnë riemërtimin e disa rrugëve në lokalitete të ndryshme dhe lagje të qytetit. Sipas Komisionit Komunal për Ankesa, rreth 70 për qind e emërtimeve të para të rrugëve kanë qenë të kundërligjshme dhe me gabime drejtshkrimore, ndërkohë që janë përmirësuar shumica prej tyre dhe së shpejti Kuvendi do t’i përmirësojë edhe disa emërtime të tjera

Një pjesë e qytetarëve në Komunën e Ferizajt, prej vitit 2013 po vazhdojnë të përballen me telashe të emërtimit të rrugëve. Gjatë vjetëve të fundit, Komisioni Komunal për Ankesa ka pranuar rreth 350 ankesa nga qytetarët të cilët nuk janë pajtuar me mbishkrimin e rrugëve nëpër lokalitete të ndryshme.

Qytetarët po kërkojnë riemërtimin e disa rrugëve në lokalitete të ndryshme dhe lagje të qytetit. Sipas Komisionit, rreth 70 për qind e emërtimeve të para të rrugëve kanë qenë të kundërligjshme dhe me gabime drejtshkrimore, ndërkohë që janë përmirësuar shumica prej tyre dhe së shpejti Kuvendi do t’i përmirësojë edhe disa emërtime të tjera.

Por, banorët e disa lokaliteteve dhe disa lagjeve të Ferizajt po vazhdojnë t’i kundërshtojnë emërtimet e rrugëve të cilat janë vendosur gjatë vjetëve të kaluar me vendim të Komunës, madje në disa raste banorët kanë larguar edhe tabelat nga rruga, sidomos ato me mbishkrime në gjuhën serbe. Ndërkohë, në fund të kësaj jave, Komuna e Ferizajt ka nënshkruar një marrëveshje të re me autoritetet e Norvegjisë për vendosjen e sistemit të adresave, vendosjen e tabelave dhe numrave nëpër shtëpi dhe banesa kolektive.

Gentrit Pajaziti, banor nga Ferizaj, ka thënë se në disa lagje banorët nuk po pajtohen me emërtime, megjithëse kanë ndodhur disa përmirësime gjatë vjetëve të fundit. Sipas tij, askush nuk është pajtuar në qytetin e Ferizajt me mbishkrimin e një lagjeje me emrin e “Jovan Jovanoviq Zmaj” i cili figuronte edhe në sistemin e internetit.

“Banorët e patën larguar këtë tabelë dhe më nuk kanë lejuar të vendoset asnjëherë, sepse gjatë së kaluarës në këtë lagje kanë jetuar njerëz të cilët kanë dhënë kontribut për çështjen kombëtare. Pra, mendoj se emrat e rrugëve në disa lokalitete dhe lagje duhet përmirësohen dhe të vendosen emra të njerëzve apo heronjve që kanë dhënë kontribut për arsimin, kulturën etj. Ka pasur ankesa nga të gjithë ne për shumë rrugë, por nuk e di nëse janë larguar mbishkrimet me emra të frikshëm, si Rruga e varrezave, pastaj emrat abstraktë, mbiemrat e familjeve dhe emrat e njerëzve që nuk identifikohen me ndonjë veprimtari kombëtare”, ka thënë Pajaziti.

Ndërkaq, Faik Selmani, koordinator për sistemin e adresave në Komunën e Ferizajt, ka thënë se prej vitit 2014 Kuvendi Komunal ka marrë disa herë vendime të ndryshme që kanë të bëjë me emërtime të rrugëve. Sipas tij, Komisioni ka vërejtur një varg gabimesh të cilat tashmë janë përmirësuar. Ai sqaron se kanë mbetur edhe 8 emra rrugësh të cilat duhet të përmirësohen nëpërmjet Kuvendit Komunal, ndërkohë që së shpejti fillon edhe një projekt i ri për sistemin e adresave nëpër shtëpi dhe banesa.

“Në Komunën e Ferizajt kemi gjithsejtë 1 mijë e 536 emra të rrugëve, 18 sheshe dhe 303 emra rezervë. Në të kaluarën, rreth 70 për qind e tabelave kanë qenë me gabime, ndërkohë që kemi pranuar 355 ankesa nga vetë qytetarët të cilët nuk janë pajtuar me këto tabela. Ne si komision i kemi shqyrtuar të gjitha ato dhe ia kemi përcjellë Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Ndërkohë, kjo agjenci i ka kthyer disa për t’i përmirësuar. Aktualisht i kemi edhe vetëm 8 emra të rrugëve që duhet të përmirësohen nga KK-ja”, ka thënë Selmani.

Sipas tij, të gjitha emërtimet që kanë qenë të kundërligjshme nëpër lagje dhe emra përshkrues, të gjitha janë përmirësuar dhe janë vendosur emra sipas drejtshkrimit. “Emrat e huaj duhet të shkruhen ashtu siç lexohen në gjuhën shqipe. Ndërkohë, së shpejti pritet të fillojmë edhe me vendosjen e sistemit të adresave, sistem ky që ndërlidhet me emërtime të rrugëve dhe pritet të finalizohet shumë shpejt. Pra, brenda një periudhe të shkurtër, të gjitha rrugët dhe adresat do të regjistrohen në sistemin e internetit dhe qytetarët do ta kenë shumë të lehtë gjetjen e adresave të tyre të kërkuara”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, Lulzim Aliu, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se tashmë kanë nënshkruar një marrëveshje me autoritetet norvegjeze dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës. “Në kuadër të politikave të qeverisjes sonë lokale është edhe sistemi i adresave, proces ky që do të përfundohet së shpejti, falë kontratës që e kemi nënshkruar mes Komunës së Ferizajt, Autoritetit Norvegjez për Hartografi dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, kontrata është nënshkruar për prodhimin dhe vendosjen e tabelave me numra për adresat e shtëpive dhe banesave në gjithë territorin e Ferizajt. “Përmes kësaj marrëveshjeje, së shpejti nis prodhimi dhe vendosja e tabelave në shtëpi dhe banesa, çka krijon përfundimisht një sistem të mirëfilltë adresash për gjithë territorin e Ferizajt”, ka thënë Aliu.