Veran Matiq, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Mediave të Pavarura Elektronike (ANEM) dhe kryesues i Komisionit për hetim të vrasjes së gazetarëve në Serbi, komision i themeluar në shkurt të vitit 2013, ka thënë se ka pasur mjaftueshëm elemente për t’u punuar me sukses në zgjidhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, por edhe për zgjidhjen e rastit të vrasjes së pesë të rinjve në kafenenë “Panda” në Pejë.
“Si komision për hetimin e vrasjes së gazetarëve shumë shpesh kemi ardhur te informata të ndryshme edhe për raste të ndryshme...Morëm informata, se ekzistojnë mjaftueshëm elemente që të punohet me sukses për zgjidhjen e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi”, tha Matiq në podksatin “Ćao Nevena” të Nova’s.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVëllezërit Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi ishin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarë të njësitit të vullnetarëve “Atlantiku”. Më 23 qershor të vitit 1999, pak ditë pas çlirimit të Kosovës, tre vëllezërit shqiptarë kishin ndërmarrë një nismë shumë njerëzore: të përcjellin një familje rome nga Prizreni drejt kufirit me Serbi. Familja po shkonte drejt Kralevës. Gjatë këtij udhëtimi, të tre e kaluan paqëllimshëm kufirin, për çka u arrestuan nga policia serbe dhe u dënuan nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple me 15 ditë burgosje. Kur po përfundonin dënimin, tre vëllezërit Bytyqi u dërguan në një bazë trajnimi të policisë serbe, ku u vranë me plumba pas koke dhe ua zhdukën gjurmët. Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001, në një varrezë masive në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Në tetor të vitit 2019 dhe në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan, ka miratuar dy rezoluta, me anë të të cilave, SHBA-ja i ka kërkuar veprime konkrete Serbisë dhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, për t'i nxjerrë para drejtësisë personat e përfshirë në këtë krim.
“Ata u vranë derisa ishin në duar të institucioneve shtetërore...Ishte krim i tmerrshëm. Ato të dhëna që morëm ishin nga një operativ i shërbimit për hulumtim të krimeve të luftës. Ai ka thënë se të dhënat ishin në arkivë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë e për ato ishin të informuar prokuroria për krime të organizuara dhe ajo për krime lufte”, tha Matiq.
Ai ka treguar se kishte dëshmitar që ishte e mundshëm të bisedohej me ta e të kuptohej vërtetë se çfarë ndodhi. Ai tha se bazuar në informata, thuhej se dëshmitarët gjendeshin jashtë vendit.
Ai tregoi se kishte informuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për këtë çështje.
“E pastaj Vuçiqi në një konferencë tha, se do ta ftojë Veran Matiqin që ta hetojë vrasjen e vëllezërve Bytyqi...por pas kësaj nuk ndodhi asgjë. Nuk u bë asnjë grup që të punonte për këtë. Nuk u mor as vendim”, tha Matiq.
Ai tha se nga prokuroria kishin shkuar jashtë vendit për të konfirmuar nëse të dhënat ishin të sakta dhe nëse ishte e mundur të ngrihet aktakuzë dhe të zgjidhet rasti.
“Ka mundur të zgjidhet kjo çështje. Por, ajo periudhë ngurruese ka ndikuar”, tha Matiq, duke thënë se erdhi edhe te mundësia që të ndikohej te dëshmitarët.
Ai po ashtu ka folur edhe për rastin e vrasjes së pesë të rinjve serbë në kafenenë “Panda”.
“Në atë rast me punë operative erdhëm te emrat e vrasësve të mundshëm, identiteti i tyre. Kishte mjaftueshëm kushte për të hetuar atë vrasje. Unë e kam parë atë raport”, tha Matiq, duke thënë se ishte bërë ai raport nga MUP-i.
Ai tha se kishte njoftuar Vuçiqin edhe për këtë rast dhe se Vuçiqi mbajti konferencë për media.
"Erdhi te ajo konferenca për media, ku Vuçiq tha se së shpejti do të dalë me informata se kush i ka vrarë të rinjtë në ‘Panda’ dhe se do të shokohen të gjithë...Pas kësaj, për fat të keq, qysh e dini s’ka ndodhur gjë”, tha Matiq.
Më 14 dhjetor të vitit 1998 pesë të rinjë serbë u vranë nga persona të maskuar në kafenenë “Panda” në Pejë.
Pas këtij rasti, më shumë se 150 shqiptarë u arrestuan në Pejë. Më 17 dhjetor 1998, u arrestuan edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami. Më i madhi prej tyre ishe 22 vjeç, ndërsa më i riu 17. Ata u burgosën në Pejë, ku u torturuan në mënyra çnjerëzore. Në qershor 1999, me rreth 400 të burgosur të tjerë, u dërguan në burg në Leskovc të Serbisë. Në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të gjashtit të pafajshëm. Ata u dënuan me nga një vit burg për shkelje të rendit publik. Një muaj më pas, me ndërmjetësimin e organizatave ndërkombëtare, pesë nga ta u liruan. Behar Bajri u mbajt në burg deri më 6 dhjetor 2000.