Kuvendi Komunal në Ferizaj gjatë muajve të fundit ka marrë së paku katër vendime të jashtëligjshme për të cilat Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka kërkuar të rishqyrtohen nga kuvendarët.
KOHA ka siguruar këto vendime, të cilat kryesisht kanë të bëjnë për dhënie në shfrytëzim të pronave komunale.
Monitoruesit e Kuvendit kanë thënë se këshilltarët nga pozita e opozita shpeshherë kanë votuar për vendime që janë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
“Kemi shprehur në vazhdimësi shqetësimet tona lidhur me këtë dukuri që është shfaqur nga ekzekutivi i Komunës së Ferizajt, por edhe natyrisht ka bartur përgjegjësi në mosharmonizimin e tyre. Ne kërkojmë nga Komuna e Ferizajt në këtë rast edhe nga legjislativi, edhe nga ekzekutivi që rregulloret të harmonizohen me ligjet dhe të mos jenë në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kenan Gashi, i OJQ-së “Avonet”.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal në Ferizaj, Kristina Bytyqi, ka thënë se në mesin e vendimeve të kthyera janë edhe disa rregullore.
“I kemi pasur katër vendime për rishqyrtim, një është anuluar me vendim të Kuvendit dhe tri të tjera janë rishqyrtuar dhe kryesisht kanë qenë vendime për të cilat Ministria ka kërkuar materiale shtesë, kështu që janë siguruar nga drejtoritë dhe janë përcjellë dhe kështu që tani jem në rregull”, tha Bytyqi.
Kuvendi Komunal në Ferizaj gjatë vitit të kaluar ka mbajtur 12 seanca prej tyre 3 të jashtëzakonshme, ndërkohë ka marrë gjithsej 59 vendime të ndryshme dhe ka miratuar tri rregullore.
{gallery}