Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë dorëzuar komente në Gjykatën Kushtetuese mbi kërkesën e deponuar 10 ditë më parë nga AAK-ja, lidhur me formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Në Kushtetuese kanë thënë se kërkesa është proceduar dhe se do të shqyrtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. E, në Zyrën e Presidentes nuk kanë treguar nëse do t’i drejtohen gjykatës me një kërkesë tjetër, siç qe paralajmëruar më herët nga presidentja Vjosa Osmani
Tri palë komente i janë dorëzuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka deponuar 10 ditë më parë në këtë instancë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për refuzimin e formimit të Komisionit që do ta mbikëqyrte procesin e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Palët kanë pasur kohë deri më 19 maj për t’i dorëzuar komentet në gjykatë.
Në Kushtetuese, nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN, kanë njoftuar se krahas AAK-së komente kanë dorëzuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe nga Partia Demokratike (PDK).
“Gjykata brenda afatit të përcaktuar ka pranuar komente nga (i) parashtruesit e kërkesës; (ii) nga Abelard Tahiri, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës dhe (iii) nga Saranda Bogujevci, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje. Kërkesa do të shqyrtohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës, dhe për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, kanë thënë në Kushtetuese.
Paralajmërimin për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese e pati bërë edhe presidentja Vjosa Osmani, pas takimit pa rezultat që ajo e ka mbajtur një javë më parë me liderë të partive politike. Por, as një javë pas kësaj dhe teksa 19 vazhdime të seancës konstituive janë përmbyllur me dështime, në Presidencë nuk kanë ofruar përgjigje në pyetjet e KOHËS se edhe sa do të pritet për t’iu drejtuar Kushtetueses.
E hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka thënë se përgjigjja që duhet të dalë nga Gjykata Kushtetuese është se sa mund të vonojë konstituimi i legjislaturës së nëntë.
“Pyetja e presidentes do të duhej të shkonte në atë që deri kur Kuvendi mund të mos konstituohet. Deri kur duhet të konstituohet, deri kur duhet të kryhet një proces i tillë dhe cilat janë pasojat e moskonstituimit të Kuvendit në mënyrë që të dilet nga ngërçi. Vetëm për këtë çështje nuk ka tashmë zgjidhje”, ka theksuar Jakaj.
Në dokumentin drejtuar Kushtetueses, AAK-ja ka kërkuar që deri në vendimin e Gjykatës të caktohet edhe masë e përkohshme ndaj mbledhjeve të deputetëve për konstituim të Kuvendit.
Mirëpo Jakaj ka shprehur qëndrimin se një gjë e tillë nuk duhet të bëhet.
“Nuk duhet të merret një vendim i tillë, për arsye se nuk ka ndonjë dëm që mund të bëhet nga mbajtja e seancave”, ka thënë ai.
Më 2014, kur deputetët e asaj kohe e kanë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Gjykata pati dalë me vendim për 40 ditë.