Arbëri

Koci: Bllokada mund të përsëritet pas zgjedhjeve të ardhshme, Kushtetuta ka vakum juridik

koci

Ish-kryeredaktori i Radio Evropës së Lirë, Melazim Koci, ka thënë se kjo situatë e tashmë politike ka gjasa që të përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas tij, rezultati zgjedhor mund të mos ndryshojë shumë.

Ai ka thënë se Kosova ka problem serioz me Kushtetutën.  

“Fatkeqësisht në Kosovë nuk ka vetëdije të mjaftueshme, jo vetëm të partitë politike, por edhe te organizatat joqeveritare dhe qarqe tjera. Kosova ka problem serioz me Kushtetutën. Problemi është politik por në masë të madhe është i shkaktuar nga një vakum juridik. Kushtetuta e Kosovës nuk ka mekanizma për të debllokuar situatën”, ka thënë ai.

Sipas tij, vendi ka një Kushtetutë që fituesin relativ e sheh si fitues absolut.


Palokaj: Liderët politikë s'e kanë idenë për dëmin që po ia shkaktojnë Kosovës

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se liderët politikë në Kosovë nuk po e kuptojnë seriozitetin e humbjeve që po i pëson vendi për bllokadën politike. 

Palokaj për “Konfront” në KTV ka thënë se ka pasur një mungesë të jashtëzakonshme serioziteti dhe përgjegjësie nga ana e të gjitha partive politike. 

Ai ka thënë se është e qartë se asnjë parti s’po do të krijohen institucionet. 

“Kam përshtypjen se nuk po e kuptojnë as seriozitetin e humbjeve që i ka Kosova për situatën e tillë. Të mos shkojmë më larg, shikoni se si presidenti i Serbisë – përkundër krizës në Serbi – takohet me liderë botërorë, ka takime të rregullta me BE-në, merr pagesa nga BE-ja nga pakoja e rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe bën lobim kundër Kosovës kudo që shkon. Ndërkohë s’ka askush për të komunikuar me palën kosovare për të konstatuar shembull se një sjellje e tillë e presidentit serb është shkelje e marrëveshjes së arritur në Bruksel. Shumë gjëra kanë mbetur si në pauzë, e kjo nuk shkon assesi në favor të Kosovës”, tha Palokaj. 
 


Muhaxhiri: Bllokada - turp i madh, hera e parë që asnjë parti s'deshi ta marrë pushtetin

Analisti Artan Muhaxhiri e ka vlerësuar bllokadën në Kuvendin e Kosovës si një turp i madh. 

Muhaxhiri në “Konfront” në KTV tha se për herë të parë është dukur sikur asnjë parti politike nuk deshi ta marrë pushtetin. 

Ai ka thënë se është vënë në pah një fakt se “pa një lloj presioni nga jashtë, nga ambasadat, shtetet e QUINT-it, si herëve të kaluara, politikanët kosovarë e kanë të pamundshme të bëjnë sjellje normale”. 

“Për herë të parë ka ndodhur që asnjë palë të mos dojë të vijë në pushtet. Z. Kurti i kishte votat e gatshme, për 4 vota me Nismën dhe minoritetet e bënte shifrën e 61 votave dhe pa asnjë problem e vazhdonte mandatin”, ka thënë Muhaxhiri. “Në anën tjetër opozita i kishte potencialisht 61 vota po të bëhej bashkë”. 

Muhaxhiri ka thënë se janë humbur fonde dhe është dëmtuar imazhi i Kosovës. 

“E kemi po ashtu një situatë e cila mund të përsëritet dhe do të përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme, pasi nuk besoj se Vetëvendosje do të bjerë në 15 për qind, e as që PDK-ja apo LDK-ja do të fitojnë nga 50 për qind”, ka thënë Muhaxhiri. 

 


Luzha: Partitë po taktizojnë, zgjedhjet lokale janë test për të gjitha

Analistja politike, Besa Luzha, ka thënë se ka pasur shpresë që deputetët e zgjedhur të kësaj legjislature do të jenë në nivel të detyrës.

Sipas saj, situata politike e të dy palëve, ka qenë që të taktizojnë për qëllime të ndryshme, duke theksuar se nuk ka pasur gatishmëri e as nuk kanë pasur vota për të formuar qeverinë.

“Fakti që janë edhe zgjedhjet lokale në afërsi, e pastaj edhe zgjedhja e presidentes më pas, ata i shtyjnë që të presin e të shohin se si përkthehet kjo në zgjedhjet lokale. Zgjedhjet lokale janë një test për të parë se ku janë, për të matë vetën pasi në zgjedhjet e përgjithshme situata nuk i kënaqi”, ka thënë ajo.

Sipas saj, të gjitha përpjekjet ishin  për të fituar në kohë.