Përfshirja eventuale e Listës Serbe në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe largimi i saj nga Kuvendi i Kosovës, mund të bëhet vetëm nga organet e drejtësisë. Juristi Ehat Miftaraj, thotë se vendimit të tillë duhet t’i paraprijë një hetim penal
Lista Serbe, e cila përfaqëson serbët në Kuvendit të Kosovës, nuk është distancuar nga veprimet e nënkryetarit të derisotëm të saj, Milan Radojçiq, i identifikuar nga autoritetet si organizator kryesor i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Kjo parti ka shpallur tri ditë zie për tre terroristët të cilët u vranë nga Policia e Kosovës dhe në nderim të tyre në institucionet e saj paralele ka ulur në gjysmë shtizë flamurin serb. Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve ligjore në raport me përfshirjen eventuale të këtij subjekti politik në sulmin që la të vdekur polici Afrim Bunjaku.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një subjekti politik mund t’i ndalohet veprimtaria kur është e domosdoshme për të siguruar rendin publik e për ta parandaluar dhunën dhe krimin.
“Ndalohet regjistrimi i një partie në rastet kur është e domosdoshme për të siguruar rendin publik, shëndetin publik, sigurinë kombëtare, parandalimin e çrregullimeve, dhunës dhe krimit, ose mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve”, thuhet në nenin 14 të ligjit.
E, në Rregullën e KQZ-së për regjistrimin dhe veprimin e partive politike precizohet se një subjekt politik mund të çregjistrohet me vendim gjykate.
“Me vendimin e KQZ-së, Zyra e fshin nga regjistri i partive politike nëse sanksioni penal kundër subjektit politik të regjistruar do të thotë çregjistrim i atij subjekti politik siç përcaktohet nga gjykata”, thuhet ndër të tjera në këtë rregull.
Këtë e pohon edhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, i cili ka sqaruar procedurën që duhet ndjekur.
“Në mënyrë që Lista Serbe të shpallet parti kundërkushtetuese duhet të kemi një hetim penal, i cili hetim duhet ta vërtetojë, ta dëshmojë me fakte që Lista Serbe është pjesë e aksioneve, veprimeve të dhunshme që për qëllim kanë cenimin e rendit kushtetues dhe juridik në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
Tek të premten, nëpërmjet një letre, Radojiçiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të partisë kryesore të serbëve të Kosovës.
Miftaraj ka theksuar se përfshirja e Radojçiqit në sulmin e Banjskës nuk është dëshmi e mjaftueshme për organet e drejtësisë për ta çregjistruar Listën Serbe.
“Komisioni Venecias e ka përcaktuar se veprimet e një anëtari të një partie të caktuar politike jo domosdoshmërisht nënkuptojnë edhe qëllimin apo misionin e vetë partisë”, ka theksuar ai.
Lista Serbe aktualisht ka 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Për veprimet e saj dhe mosdistancimin nga sulmi terrorist, në Kuvendin e Kosovës nuk kanë treguar nëse do të nisin procedura brenda kompetencave të legjislativit.