Arbëri

Dokumentuesi danez i krimeve të Serbisë në Kosovë shprehet i gatshëm të dëshmojë

Në formë libri, imazhet e shkrepura nga fotografi danez Thomas Sjorup gjatë luftës në Kosovë janë rikthyer në Prishtinë, duke i nxjerrë në pah krimet që forcat serbe i kanë kryer kundër popullsisë shqiptare. Libri u kualifikua si dëshmi vizuale e luftës, që i reflekton dhimbjen dhe qëndresën e popullit shqiptar. E autori i librit është shprehur i gatshëm që për ngjarjet që i ka parë dhe i ka përjetuar në Kosovë të japë edhe dëshmi

Imazhet e shkrepura nga fotografi danez, Thomas Sjorup, të cilat i dokumentojnë krimet që forcat serbe i kanë kryer gjatë luftës në Kosovë, janë rikthyer të mërkurën në Prishtinë në formën e një libri.
Në promovimin e librit “Kosovo at War”, autori Sjorup e ka kualifikuar vëllimin e porsabotuar jo vetëm si koleksion fotografish, por edhe si dëshmi vizuale për “guximin, humbjen dhe qëndresën”.

Ai ka theksuar se për të gjitha ngjarjet që i ka parë dhe i ka përjetuar gjatë luftës në Kosovë është i gatshëm që të japë edhe dëshmi.

“Shumë njerëz më merrnin në dhomat e tyre, më jepnin ushqim, më tregonin historitë e tyre, më linin t’i fotografoja jetët e tyre dhe kjo është, e dini, ajo që unë e kujtoj më shumë. Po flas vetëm për atë që pashë dhe nëse dikush dëshiron të më pyesë diçka në lidhje me atë që përjetova, ata janë gjithmonë të mirëseardhur, mund të më thërrasin ose çfarëdo, unë jam i gatshëm”, ka theksuar Sjorup.

E Teuta Shala-Peli, e cila është drejtoreshë në Institutin e Historisë në Kosovë, e ka vlerësuar librin e fotografit nga Danimarka si testament për breza të rinj, e cila siguron që sakrifica për liri të mos harrohet.

“Fotografitë e prezantuara sot nuk janë vetëm dokumente të luftës, ato e çojnë dhimbjen e vendit tonë dhe rrugëtimin drejt librit. Kosova dëshmoi para botës, ashtu siç ka qenë nga ky libër, kjo mbetet testament të brezat e rinj për të mos harruar lirinë e vendit”, ka thënë ajo gjatë promovimit të librit në Prishtinë.

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit e kanë vlerësuar kontributin e fotoreporterit danez në ruajtjen e kujtesës për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë.