Futboll

Asllani nga ylli në ngritje i Bundesliga 2, në “makineri golash” në Bundesligë

Fisnik Asllani

Bundesliga.com – Në edicionin e kaluar, Fisnik Asllani u shfaq si yll në ardhje në Bundesliga 2, te skuadra Elversberg. Tani, i kthyer te Hoffenheimi, ai po bën hapin drejt shndërrimit në makineri golash në elitën e futbollit gjerman.

Asllani shfaqi kualitetet e tij në ndeshjen për Kupë ndaj Rostockut. Me një gol e një asistim, sulmuesi i kthyer nga huazimi ishte meritor për avancimin e Hoffenheimit.

Një javë më pas, një ndeshje në udhëtim ndaj Leverkusenit dhe skenar i njëjtë: gol e asistim nga Asllani në fitoren 2:1.

Pas një ndeshjeje të vështirë ndaj ekipit të fortë të Frankfurtit, ai u kthye me tjetër paraqitje të zjarrtë. Shënoi dy gola ndaj klubit të fëmijërisë, Union Berlin.

Tre golat e tij bën që Asllani në Bundesligë të jetë vetëm prapa Harry Kane dhe Serhou Guirassyt. Është në grupin e më të mirëve.

Asllani bëri hap të rëndësishëm në zhvillimin e tij, gjatë edicionit të kaluar. Ishte i huazuar tek Elversbergu. Si Nick Woltermade dy vjet më parë, që kishte 17 gola e dhjetë asistime në ligën e tretë, shtatlarti Asllani shkëlqeu në Saarland.

Me 18 gola e tetë asistime, sulmuesi i Kosovës ishte prej top-golashënuesve në Bundesliga 2 dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në edicionin e suksesshëm tek Elversbergut. Kjo skuadër u paraqit në plejofin për inkuadrim në Bundesligë.

Ai thjesht kishte ndjenjën e shënimit të golave. Me 102 goditje, ishte golashënuesi i dytë me më së shumti tentime. Ai ka konkretizuar 62 për qind të shanseve të mira dhe ishte golashënuesi i tretë në përgjithësi. Kjo ecuri po vazhdon në Bundesligë, dhjetë goditje në tri ndeshje të Hoffenheimit, si asnjë lojtar tjetër i kësaj skuadre.

23-vjeçari mund të mos jetë shumë i shpejtë, por sërish tregon shenja të dukshme të dëshirës për të vrapuar. Fizikisht është stabil dhe teknikisht i fortë. Kjo nuk dëshmohet vetëm në efikasitetin e tij, por edhe në asistimet e shumta. Tashmë i ka dy asistime, ndërsa ka bërë pesë pasime për goditje, si asnjë lojtar tjetër i Hoffenheimit.

Virtualisht, Asllani është sulmues i kompletuar. Ai ofron të gjitha në fushë. Në të kaluarën ka luajtur edhe më i tërhequr. Në moshë të re, gjermano-kosovari është tani në prag të shpërthimit. Transformimi i tij në top-golashënues të Bundesligës është vetëm çështje kohe.