Arbëri

Lista për bursa të studentëve në Shtime përplas Komisionin dhe Komunën

Komuna e Shtimes ka paralajmëruar inicimin e një padie ndaj anëtarit të Kuvendit të Komunës, Herolind Selmani, me arsyetim se jashtëligjshëm ka publikuar dokumente pa autorizim të komunës derisa ishte pjesë e komisionit për përzgjedhjen e studentëve për bursa.

Rreth kësaj çështje komuna ka reaguar edhe nëpërmjet një komunikate për media, ndërkohë Selmani ka sqaruar se drejtoria Komunale e Arsimit nuk e ka aprovuar listën e komisionit për ndarjen e bursave.

Ndërkaq në komunikatën e Komunës midis të tjerash thuhet se Kuvendari Selmani ka publikuar jashtëligjshëm listën me të dhëna personale të studentëve që kanë aplikuar për bursa.

“Komuna e Shtime, respektivisht Drejtoria e Arsimit, si organ i autorizuar me Rregullorën Komunale për Ndarjen e Bursave për Studentë ka bërë publikimin e konkursit për ndarjen e Bursave për Studentë për vitin akadamik 2020/2021, pas përfundimit të afatit të aplikimit, është konstatuar se nuk ka pasur aplikues të cilët i plotësojnë kushtet dhe kriteret e konkursit në 6 drejtime deficitare (drejtime këto të cekura me vendimin e kuvendit Komunal)”, thuhet në komunikatën e Komunës.

Sipas tyre, me këtë konstatim, Drejtoria e Arsimit përmes një shkrese zyrtare u është drejtuar Komisionit Komunal për Përzgjedhjen e Bursave për Studentë për rishikim të përzgjedhjes, edhe pas procesit të rishikimit , u rikonstatua se ndarja e bursave nuk është bërë në përputhje me kriteret ligjore të përcaktuara në Rregullorën Komunale, andaj është marrë vendim që të mos aprovohet përzgjedhja dhe rishpallet konkursi.

“Vendimit për rishpallje të konkursit dhe mos aprovim të listës së propozuar i ka paraprirë mospërmbushja e kritereve të aplikuesve, ngase sipas konkursit të shpallur më datë 14.07.2021 me nr të protokollit 05/339 konstatohet se në 6 drejtime të publikuara në konkurs nuk ka pasur studentë që kanë aplikuar dhe në këtë rast Komisioni nuk ka vendosur sipas kritereve ligjore. Në fund, me qëllim të mbrojtjes së ligjmërisë, jemi të obliguar që të inicojmë procedurë në organet e kompetente për z.Herolind Selmani i cili ka publikuar dokumentacion pa autorizim duke përbërë shkelje të dispozitave të Ligjit Nr.06/L-062 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në komunikatën e Komunës. Në anën tjetër Herolind Selmani, kuvendar i pavarur në Kuvendin Komunal të Shtimes, njëherësh anëtar i Komisionit për ndarjen e bursave ka thënë për KOHEN se komuna me indikacione politike nuk e ka aprovuar listën e komisionit.

“Komuna ka pasur për qëllim që secilin student ta thërret dhe të bisedon për punët e fushatës, ndërkaq sa i përket publikimit të listës së studentëve personalisht nuk kam bërë asnjë shkelje sepse ajo listë është miratuar nga komisioni prej pesë anëtarëve. Por, Komuna nuk e ka miratuar atë listë sepse ka pasur indikacione politike”, ka thënë Selmani. Sipas tij, të gjithë studentët e përzgjedhur i kanë plotësuar kriteret dhe nuk ka pasur asnjë arsyeje që komuna ta anulon atë. Ndërkohë, Selmani nëpërmjet një postimi në rrjetin social, kishte kritikuar komunën me arsyetim se drejtoria e arsimit pa të drejtë nuk e kishte aprovuar listën e studentëve për bursa. “Për hir të korrektësisë po e publikoj listën e studentëve të cilët komisioni i zgjedhur nga KK komunal në Shtime i ka përzgjedh si përfitues, mirëpo me këtë listë nuk është pajtuar Drejtoria e Arsimit në Shtime, dhe pa kurfar të drejte nuk e aprovon listën e propozuar nga komisioni dhe e anulon atë me arsyetimin se nuk janë përmbushur kriteret e përcaktuara me konkurs, unë si anëtar i komisionit me plot përgjegjësi ju them se të gjitha kriteret janë plotësuar dhe komisioni ka propozua listën me student që janë përzgjedhur në bazë të notës mesatare dhe kuadrove deficitare të përcaktuara me rregullore të Kuvendi Komunal”, thuhet midis të tjerash në publikimin e Selmanit.