Arbëri

Lirohet nga akuza arsimtari që hodhi në shportë simbolet kombëtare

Muhamed Hajredinaj,

Është liruar nga akuza arsimtari, Muhamet Hajredinaj, i cili akuzohej për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, pasi që kishte hedhur në shportë të mbeturinave plisin dhe flamurin kombëtar. 

Kryetari i trupit gjykues, Leon Perlaska, të martën në shpallje të aktgjykimit e ka dhënë arsyetimin për lirimin nga akuza të të akuzuarit Hajredinaj. 

“Gjykata vlerësoi se i pandehuri nuk ka pasur për qëllim nxitjen e urrejtjes apo mosdurimit kombëtar apo fetar, por se reagimet e të pandehurit kanë rrjedhur si reaksion i situatës së tensionuar të krijuar në klasë në mes të mësimdhënësit dhe nxënësve, andaj si të tilla këto veprime nuk i përmbushin elementet e veprës penale për të cilën i pandehuri u lirua nga akuza”, është shprehur Perlaska. 

Hajredinaj akuzohej se në cilësinë e mësimdhënësit të gjuhës angleze në shkollën fillore “Xhemajl Mustafa”, në Prishtinë, duke ditur që më 27 nëntor të 2024-tës kremtohej në shkollë Dita e flamurit kombëtar, në prani të nxënësve ka marrë flamurin kuqezi dhe plisin dhe i ka hedhur në shportën e mbeturinave. 

Pas rastit, i akuzuari Hajredinaj ishte pezulluar nga puna në shkollën "Xhemail Mustafa".