Deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se votimi i fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit është kundër rregullave dhe kundër praktikës parlamentare.
Para fillimit të seancës të së hënës për konstiuim të Kuvendit, Limaj ka thënë se nuk voton diçka që beson se është në kundërshtim me rregulla ligjore.
Ai ka thënë se votimi ka filluar i hapur dhe duhet të përfundojë si i tillë.
“Ne e kem pasur qëndrimin, besoj se është kundër rregullave, praktikës parlamentare. Nuk mund të votojmë diçka që ne besojmë se është në kundërshtim me praktikën parlamentare dhe rregulla ligjore. Ka filluar votim i hapur dhe duhet të përfundojë i tillë, sikur të kishte filluar me fillim me votim të fshehtë është e lejueshme edhe me rregullore edhe me ligj dhe nuk do të kishte pasur asnjë problem. Por ka filluar si votim i hapur dhe duhet të përfundojë si i tillë, ne si Nismë dëshirojmë që të respektohen edhe praktika edhe ligji”, ka thënë ai.
