Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ua ka paraqitur liderëve të vendeve anëtare idenë për tejkalimin e bllokadave në procesin e zgjerimit për të mundësuar që ky proces të përshpejtohet. Për këtë ide është diskutuar edhe në samitin joformal të Bashkimit Evropian që të mërkurën është zhvilluar në Kopenhagë të Danimarkës, vendi i cili ka kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian.
Kjo nuk është një ide e re, sepse atë e kishte paraqitur para disa viteve edhe Parlamenti Evropian dhe po ashtu disa vende anëtare. Sipas kësaj ideje vendimet për hapjen e grup-kapitujve do të merreshin me shumicë të kualifikuar në Këshill e jo si deri më tash me pajtimin e të gjitha vendeve anëtare. Por kjo do të vlente vetëm për hapjen e kapitujve e jo edhe për mbylljen e tyre.
Aktualisht në procesin e zgjerimit secili vendim në secilin hap merret me konsensus. Kjo ka bërë që shpesh një apo më shumë vende anëtare të bllokojnë përparimin e ndonjë vendi kandidat. Rasti më i njohur është ai i Maqedonisë së Veriut, e cila nuk po arrin t’i hapë kapitujt e parë qysh nga viti 2009, kur Komisioni kishte konstatuar se i ka përmbushur të gjitha kushtet. Një herë Maqedonia e Veriut mbahej e bllokuar nga Greqia për shkak të mospajtimeve rreth emrit, ndërsa tash po mbahet e bllokuar nga Bullgaria, e cila ka vërejtje për disa çështje që lidhen me identitetin, interpretimin e historisë dhe me pakicat kombëtare.
Bashkimi Evropian për momentin më së shumti është i interesuar për të zhbllokuar hapjen e kapitujve me Ukrainën. Për këtë janë pajtuar të gjitha vendet, por veton po e mban Hungaria. Tash po kërkohen mënyra për të tejkaluar veton e Hungarisë në rastin e Ukrainës.
Por nëse do të ndryshohet mënyra e miratimit të vendimeve, nga kjo do të përfitonin edhe vendet tjera kandidate. Megjithatë, diplomatët në Bruksel janë skeptikë rreth kësaj ideje, sepse edhe për heqjen e vetos duhet pajtim i të gjitha vendeve anëtare. Dhe nuk është vetëm Hungaria ajo që ka rezerva ndaj heqjes së vetos. Këtë, sipas diplomatëve, nuk do ta pranonin as Qiproja që dëshiron ta mbajë mundësinë për të bllokuar Turqinë, as Bullgaria që bllokon Maqedoninë e Veriut, as Greqia që dëshiron në të ardhmen të ketë fjalën e fundit në negociatat e BE-së me Shqipërinë e as Kroacia e cila shpesh ka rezerva në hapjen e kapitujve me Serbinë.
Kosova po ashtu ka mbetur e bllokuar si pasojë e kundërshtimit të pesë vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Kështu kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE e dorëzuar para gati tri vjetësh nuk është shqyrtuar fare. Dhe Kosova ka mbetur i vetmi vend evropian i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe nuk e ka ende statusin e kandidatit.