Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kushtetuesja konstaton se gjykata ia shkeli të drejtat një qytetari

Gjykata Kushtetuese

Pas ankesës së një qytetari, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se kohëzgjatja e një procedure gjyqësore rreth kompensimit për pronë, për më tepër se 11 vite, ka shkelur të drejtën e tij për gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës. Kjo gjykatë ka urdhëruar Themeloren për të përmbyllur çështjen me prioritet dhe dinamikë të shtuar, brenda një afati sa më të shpejtë kohor dhe konform gjetjeve të Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të premten se një qytetari, gjykatat e rregullta ia kanë shkelur të drejtat themelore që i garantohen me aktin më të lartë juridik të shtetit. Vendimin e ka sjellë, pas kërkesës së parashtruar nga Blerim Kopreshi, nëpërmjet së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës në një lëndë në Gjykatën Themelore në Prizren.

“Gjykata, njëzëri (i) deklaroi kërkesën të pranueshme; dhe (ii) konstatoi se ka pasur shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe paragrafit 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses për këtë rast.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas informatës së gjykatës, rrethanat e rastit ndërlidhen me kërkesën për anulimin e aktvendimit përkitazi me shpalljen e pronës kontestuese zonë me interes të përgjithshëm dhe vendimin përfundimtar të shpronësimit të pronës kontestuese nga ana e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në procedurë administrative.

Rasti është në gjykatë që nga 2014-a.

“Parashtruesi i kërkesës kontestoi në Gjykatë kohëzgjatjen e procedurës gjyqësore në rastin e tij, duke pretenduar se ishte shkelur e drejta e tij për një vendim brenda një afati të arsyeshëm, e garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai gjithashtu pretendoi se mungesa e kompensimit për më shumë se një dekadë është cenim thelbësor i të drejtës në pronë, sepse parashtruesi është privuar nga prona pa kompensim dhe pa procedurë të rregullt ligjore, duke cenuar të drejtën në pronë të garantuar me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata ka shtjelluar  parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me të drejtën për vendim brenda një afati të arsyeshëm, dhe më pas i ka zbatuar ato në rrethanat e rastit konkret.

“Gjykata konstatoi se, kohëzgjatja e procedurës së zhvilluar në lidhje me lëndën [C. nr. 77/20] në Gjykatën Themelore prej më shumë se 11 (njëmbëdhjetë) vitesh është e paarsyeshme, për shkak se: (i) çështja e parashtruesit të kërkesës nuk rezulton të jetë e një natyre tejet të ndërlikuar sa për të justifikuar tejzgjatjen e konstatuar vetëm në shkallë të parë; (ii) parashtruesi i kërkesës ishte relativisht aktiv në zgjidhjen e çështjes së tij; dhe se (iii) Gjykata Themelore, pavarësisht veprimeve procedurale që kishte ndërmarrë në mbajtjen e vetëm një seance gjyqësore dhe veprimeve përkitazi me jokompetencën lëndore, e njëjta ka deklaruar se ende është në proces të vendimmarrjes, duke rezultuar e ngadaltë dhe jo efikase për të zgjidhur çështjen brenda një afati të arsyeshëm”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Gjykata ka konstatuar se kohëzgjatja e procedurës për këtë rast për më tepër se 11 vite dhe vetëm pasi rasti është kthyer në kompetencë lëndore, rreth 5 vjet pa u mbajtur ndonjë seancë, ka shkelur të drejtën e tij për gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që pas publikimit të Aktgjykimit të saj, Gjykata Themelore duhet të ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm për të përmbyllur çështjen juridike të parashtruesit të kërkesës me prioritet dhe dinamikë të shtuar, brenda një afati sa më të shpejtë kohor dhe konform gjetjeve të Gjykatës.