Pesë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dështuar të marrin shumicën e mjaftueshme për t’u bërë kryeparlamentar.
Në tri seanca të mbajtura deri tash pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën, Hekuran Muratin, Arbërie Nagavcin e Dimal Bashën.
Vetëm votimi i fundit, ai për Bashën, nxiti reagime më shumë për shkak të zotimit të Partisë Demokratike se do të votonte për deputetë që nuk kanë qenë pjesë e kabinetit të Qeverisë Kurti. E në votimin për Bashën kjo parti abstenoi. Në arsyetimin pas seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se kanë kërkuar pauzë për t’u konsultuar për ta votuar Bashën. Nga Lëvizja Vetëvendosje kjo u cilësua si “shpërfaqje” që PDK-ja nuk e ka pasur problemin me emra, por se “nuk e do konstituimin e Kuvendit”.
E sot, e martë, Kuvendi mblidhet sërish në orën 11:00. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka paralajmëruar ndonjë emër e as nga PDK-ja nuk është treguar se si do të veprohet në rast të ndonjë emri “befasi”.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të votojë për asnjë kandidat pa ndonjë marrëveshje, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se do të votonte pro Glauk Konjufcës, Shqipe Selimit dhe Saranda Bogujevcit.
Edhe
Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit, konstituimi peng i një nënkryetari
Nisma me tre deputetë në vazhdimësi ka abstenuar.
Në bazë të aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.