Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti lëshon pe për ilegalët

Kurti-Sorensen

Qeveria është pajtuar që, duke nisur nga e diela, zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në universitetin në veri. Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj. Vendimi nxiti reagimin e opozitës, por u mirëprit nga ambasadorë të akredituar në Kosovë

Një ditë para fillimit të zbatimit të Ligjit për të huajt, si dhe të atij për automjete, Bashkimi Evropian (BE) e ka dërguar në Prishtinë përfaqësuesin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, e i cili nuk është kthyer në Bruksel duarthatë.

Në takimin që në mëngjesin e së shtunës pati me kryeministrin Albin Kurti, ai shprehu kërkesë që implementimi i dy ligjeve të mos jetë i menjëhershëm por gradual, dhe të mos i ndërpresë shërbimet shëndetësore e arsimore për serbët lokalë. Këto shërbime merren në institucione ilegale që Serbia i mban në Kosovë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas takimit me Kurtin dhe me shefin e zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, Sorensen kërkoi lehtësira për serbët.

“E konsiderojmë prioritet kyç që Qeveria e Kosovës t’u sigurojë leje qëndrimi punëtorëve dhe studentëve të përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, në mënyrë që të parandalohet çdo ndërprerje e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Për të siguruar mosndërprerjen e shërbimeve, i kërkuam Kosovës të lejojë përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara jo më vonë se 15 mars 2026 nga Serbia për ata që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative”, ka thënë Sorensen, në konferencën e përbashkët të shtypit me kryeministrin Kurti dhe ambasadorin Orav.

Ligji për të huajt parasheh që të gjithë personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë për më shumë se tre muaj, përveç nëse kanë autorizim përkatës.

Megjithatë, pas takimit të së shtunës është vendosur që këto rregulla të mos zbatohen menjëherë për serbët e Kosovës pa dokumente kosovare. Ata do të kenë mundësi të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi deri në 12 muaj, si dhe të përdorin si dokument identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga struktura paralele në vend.

I pari që e kumtoi këtë është Orav.

“Diskutuam për zbatimin, i cili do të fillojë nesër. Kemi pasur bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit. Dhe sot ka marrëveshje për zbatimin e ligjit për të huajt me hapa thelbësorë shtesë, para së gjithash sa i përket procesit të regjistrimit të serbëve të Kosovës dhe lejes së përkohshme të qëndrimit”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti dha detaje për lëshimet e bëra, e të cilave iu referua si “lehtësira”.

Ai ka sqaruar se Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë të komunave me shumicë serbe me listat e stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në Kosovë dhe më pas Ministria e Punëve të Brendshme do t’i pajisë me lejet e përkohshme.

“Dua të potencoj që nuk është interes i Republikës së Kosovës që zbatimi i ligjit për të huajt dhe i atij për veturat të prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët. Por po ashtu dua të theksoj fuqishëm, që njësoj është qëndrimi i Republikës së Kosovës, që në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të ketë mekanizma ilegalë të cilët mirëmbahen e financohen nga një shtet jomiqësor e që nuk e njeh Republikën e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar edhe detaje të lehtësirave të krijuara.

“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë”, ka thënë ai. “Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hap një dritare të re 3-mujore për t’u mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do t’u lejohet edhe përdorimi, ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”.

Studentëve që aplikojnë, Kurti tha se do t’u ofrohet leje e përkohshme qëndrimi për 12 muaj, me mundësi vazhdimi. E, për punëtorët në institucione arsimore e shëndetësore, ai theksoi se ministritë respektive, në koordinim edhe me Sorensenin, do t’i përcaktojnë procedurat e afatet për inkorporim a licencim.

Kurti bëri të ditur se, bashkë me lehtësirat, do të vijojë angazhimi për integrimin e dy sistemeve paralele serbe brenda kornizës ligjore të Kosovës.

Është 16 marsi data kur është paralajmëruar të nisë zbatimi i dy ligjeve, që prek edhe serbët të cilët kanë refuzuar t’i binden sistemit kushtetues të Kosovës.

Akuzat e opozitës

Subjektet kryesore politike në opozitë kanë kritikuar Kurtin për lëshimin e bërë.

Në një komunikatë të Partisë Demokratike është shprehur shqetësim për këtë, pasi është konsideruar se përmes këtij veprimi “po cenohet drejtpërdrejt sovraniteti i Republikës së Kosovës”.

“Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së. “Për vite me radhë, Kurti deklaronte se në Kosovë nuk ekzistojnë më struktura paralele të Serbisë, ndërkohë që me vendimet e tij po e pranon publikisht ekzistencën e tyre dhe po krijon kushte për vazhdimin e funksionimit të tyre”.

Në reagimin e PDK-së është theksuar se ligjet e Kosovës duhet të zbatohen plotësisht dhe njësoj për të gjithë, e strukturat ilegale që veprojnë jashtë sistemit shtetëror duhet të mbyllen.

“Këto lëshime janë vazhdim i logjikës së rrezikshme të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të pranuara nga Kurti pa transparencë dhe pa debat institucional, të cilat tashmë po prodhojnë pasoja konkrete në terren në dëm të interesit shtetëror të Kosovës”, thuhet në reagim, e në të cilin i është bërë thirrje Qeverisë që të ndërpresë menjëherë “politikat e dëmshme që po prodhojnë konfuzion institucional dhe po e fuqizojnë narrativën e Serbisë ndaj Kosovës”.

Ka reaguar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.

“Pas njohjes së pasaportave ilegale të strukturave paralele, sot me plot gojë kryeministri ynë tha se po u hapim edhe një dritare dokumenteve të tjera jolegale për serbët”, ka thënë ai. “Deri kur me këto lojëra plot gojën me patriotizëm, por plot vendime antikushtetuese dhe antiligjore. Me serbë dhe struktura paralele bashkëpunim të shkëlqyeshëm, e me shqiptarë të këtij vendi bllokada e rrëmujë”.

Lavdet e ambasadorëve

Ndryshe nga opozitarët, ambasadorë të akredituar në Prishtinë e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë.

Ai i Gjermanisë, Reiner Rudolph, e ka kualifikuar të rëndësishëm faktin që Kosova arriti marrëveshje për mënyrën e zbatimit të ligjeve, pa i ndërprerë shërbimet shëndetësore e arsimore që në komunat me shumicë serbe ofrohen nga institucione paralele.

“Është mirë të shohësh një marrëveshje se si të zbatohen Ligjet e Kosovës për të Huajt dhe për Automjetet. Sigurimi i lejeve të qëndrimit dhe të punës për punëtorët dhe studentët, shmangia e ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, si dhe zgjidhjet praktike për lëshimin e dokumenteve për të gjithë qytetarët e Kosovës kanë rëndësi”, ka thënë në reagimin e tij ambasadori Rudolph.

E ambasadori francez, Olivier Guerot, ka thënë se kjo zgjidhje është rezultat i vullnetit të mirë të Qeverisë dhe i angazhimit të BE-së.

“Vullneti i mirë i të gjitha palëve ka bërë të mundur gjetjen e zgjidhjeve konkrete. Është thelbësore që veprimet e ndërmarra të mos kenë një ndikim negativ në kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës. E përgëzoj rolin proaktiv dhe shumë pozitiv të Bashkimit Evropian”, ka theksuar ambasadori Guerot.

Vendimi është përshëndetur edhe nga shefi i OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.

“Mirëpresim marrëveshjen për zbatimin e ardhshëm të Ligjit për të Huajt dhe Automjetet – një hap i rëndësishëm përpara në adresimin e një çështjeje praktike që prek jetën e përditshme të njerëzve”, ka thënë ai.

Dilemat në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka përshëndetur lehtësirat, por ka thënë se zgjidhje të mira nuk ka.

“Nuk ka zgjidhje të mira dhe të lehta, por ky është lehtësim për ta. Është arritur një model. I di detajet teknike. Brenda shtatë deri në 10 ditë do të shkoj për të folur me njerëzit tanë në Rashkë”, ka thënë ai.

E me ton triumfues ka folur drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka thënë se me këtë vendim është mundësuar funksionimi normal dhe i pandërprerë i institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe.

“E shmangëm skenarin më të keq të mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë, sepse ky ishte qëllimi kryesor i zbatimit të Ligjit për të Huajt, të cilin Albin Kurti vendosi ta zbatojë pas 13 vjetësh. Ne e ndaluam mbylljen e institucioneve tona, që populli ynë të mund të vazhdojë të studiojë, të mësojë, të marrë trajtim shëndetësor dhe të shkojë në punë”, ka thënë ai.

Ligji për të huajt ishte miratuar më 2013, kurse ai për automjetet më 2017. Zbatimi i tyre u paralajmërua për fundin e vitit të kaluar, ndërsa më pas u shty për janar. Autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar fushatë informuese për disa javë në atë periudhë. Pas kësaj, u shty sërish deri më 15 mars. Dhe në prag të kësaj date është arritur pajtimi i Qeverisë për lehtësirat për serbët.

Lexo përditësimet tjera
Albin Kurti - Peter Sorensen

Ligji për të huajt nis së zbatuari me masa shtesë