Arbëri

Kurti: Kur Serbia këmbëngulte që s’ka Republikë të Kosovës, Rugova si president i saj takoi Clintonin

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka kujtuar ish-presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën në 20-vjetorin e vdekjes.

Kurti ka deklaruar se në kohën kur Serbia që këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës, ishte Rugova që si president i republikës sonë arriti të takohej edhe me liderë botërorë, deri të ai i SHBA-së, Bill Clinton.

“Në një kohë tejet të vështirë kur Serbia kishte vendosur një regjim apartheidi në Kosovë, Ibrahim Rugova u vendos në krye të një shteti juridikisht dhe politikisht unik, duke u votuar e zgjedhur President i Kosovës më 24 maj 1992, asaj Republike të Kosovës që e kishin shpallur delegatët e saj më 7 shtator 1990 në Kaçanik, një vit e gjysmë pasi Serbia ia kishte suprimuar autonominë Kosovës, më 23 mars 1989. Pikërisht atëherë kur më së shumti Serbia këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës dhe kur askush përveq Republikës së Shqipërisë nuk e njihte ekzistencën e saj, Ibrahim Rugova si President i Republikës së Kosovës, arriti të imponohej si i tillë duke u takuar edhe me liderë botërorë deri te Presidenti i ShBA-së, Bill Klinton”, shkroi Kurti në Facebook.

Kurti tutje shkroi se urtësia e Rugovës dhe konsistenca e tij i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi. Kurti deklaroi po ashtu se Rugova merita të veçanta edhe për orientimin e Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarzimin e drejtë të çështjes së Kosovës.

“Urtësia e tij në mendim dhe veprim, si dhe konsistenca e tij në rrugën e rezistencës paqësore, i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi. Ibrahim Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Ai ishte Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës, republikës sonë të parë, të shpallur për rezistencë, por ishte edhe Presidenti i Parë i Kosovës pas çlirimit të saj. Më 21 janar 2006, Ibrahim Rugova vdiq duke qenë ende në detyrën e Presidentit të Kosovës. Vetë institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës, është i shenjuar nga personaliteti i tij dhe ushtrimi i gjatë i atij funksioni prej Presidentit Rugova”, ka thënë mes tjerash Kurti në shkrimin e tij përkujtues për Kosovën.

Lexo përditësimet tjera
Ibrahim Rugova

20 vjet nga vdekja e ish-presidentit, Ibrahim Rugova

Sot janë bërë 20 vjet nga vdekja e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar...