Sot janë bërë 20 vjet nga vdekja e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006, në moshën 62-vjeçare, ndërsa mbante postin e presidentit.
Rugova u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor 1989. Ai u konfirmua lider politik i Kosovës në dy palë zgjedhje të mbajtura në vitet ‘90, përkatësisht më 1992 dhe 1998. Ai është zgjedhur president i Kosovës dy herë edhe pas çlirimit, përkatësisht pas zgjedhjeve nacionale të vitit 2001 dhe atyre të 2004-s.
Rugova si kryetar i LDK-së, nga viti 1989, ishte kthyer edhe në lider të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të nëntëdhjeta, nën sundimin e Serbisë.
Vdekja e tij u përcoll me 15 ditë zie në Kosovë. I ngarkuari i OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, atëbotë, shtyri për një kohë bisedimet rreth këtij procesi. Tek dy vjet më vonë, më 17 shkurt të vitit 2008, institucionet e Kosovës e shpallën Pavarësinë.
Në përvjetorin e parë të vdekjes, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë që u jepet figurave historike.
]Në 20 vjetorin e vdekjes së Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbahen këto aktivitete:
Organizohen homazhe tek varri i Presidentit Rugova.
Nën patronatin e Presidentes Osmani mbahet Akademi Përkujtimore për Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. (Amfiteatri i Bibliotekës Qendrore Universitare, Prishtinë)
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, bën homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Po ashtu edhe LDK mban akademi përkujtimore në 20 vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova.