Arbëri

Kurti e quan 2024-n vit të integrimit të serbëve në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti

Foto: Alban Bujari

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur 2024-n vit të integrimit të komunitetit serb në Kosovë, duke thënë se në pesë muajt e parë janë lëshuar mbi 7000 pasaporta RKS, mbi 6800 letërnjoftime e 1100 patentë shoferë në komunat ku serbët janë shumicë.

Ai ka shkruar në rrjetin social X se edhe konvertimi i targave nga ato ilegale në RKS “po vazhdon dhe po shkon shumë mirë”, e sipas Kurtit, ky është rezultat i punës konstruktive mes Qeverisë dhe qytetarëve.

Kurti ka përmendur edhe hapjen e bizneseve në veri.

“2024-a është viti i integrimit. Vetëm në pesë muajt e parë, mbi 7 mijë pasaporta RKS, 6800 letërnjoftime dhe 1100 patentë shoferi janë lëshuar në komunat ku komuniteti serb përbën shumicën. Konvertimi i targave ilegale në RKS po vazhdon dhe po shkon shumë mirë. Po ashtu, 159 biznese të reja janë regjistruar në zyrat e sapohapura të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në katër komunat në veri të Kosovës. Ky është rezultat i punës konstruktive mes qeverisë dhe qytetarëve tanë, dhe bindjes së përbashkët se një vend i bashkuar është një vend i fortë”, ka deklaruar ai.