Trepça i fitoi gjithë trofetë e basketbollit kosovar në edicionin e kaluar, 2024/2025. E fitoi Superkupën, Kupën dhe titullin e kampionit. Aktualisht është në vendin e parë në Superligë.
Rrjedhimisht Trepça u shpall klubi më i suksesshëm i basketbollit të meshkujve në Kosovë në vitin 2025. Por basketbollisti më i mirë i vitit nuk u shpall ndonjëri prej lojtarëve të ekipit mitrovicas.
Dhe mbështetës të kësaj skuadre bënë pyetjen: kush e fitoi titullin për Trepçën?
Reagimet ishin të shumta pasi Federata e Basketbollit e Kosovës i shpalli të premten mbrëma më të mirët e vitit. Ka pasur shumë kritika, sidomos në rrjetet sociale, për FBK-në, përkatësisht për përzgjedhjen e bërë prej saj. Nuk kanë munguar edhe fyerjet.
Dardan Berisha i Pejës u shpall basketbollisti më i mirë i vitit 2025 në Kosovë. Peja nuk fitoi ndonjë trofe, por Komisioni i FBK-së për shpalljen e më të mirëve e ka vlerësuar atë më të mirin.
Zakonisht, jo vetëm në basketboll, më të mirët shpallen nga skuadrat më të suksesshme, përkatësisht nga ato që fitojnë trofe. Këtë herë u vendos ndryshe.
Nga Federata e Basketbollit e Kosovës nuk kanë dashur të komentojnë për përzgjedhjen e bërë. Kanë thënë se “Laureatët” është temë e mbyllur.
Nuk kanë komentuar as te Trepça. Drejtuesit e këtij klubi ishin në ceremoni, njëjtë si edhe basketbollistë të skuadrës mitrovicase. Trepça zgjodhi të mos publikojë asgjë nga ceremonia në faqen zyrtare në rrjetet sociale, si shenjë reagimi për përzgjedhjen e lojtarit më të mirë. Nuk e publikoi as lajmin që u shpall klubi më i mirë i vitit. Jo të gjithë e kanë kuptuar heshtjen e klubit kampion.
Por reagoi Drilon Hajrizi. Ai ishte nominuar nga Trepça për çmimin basketbollisti i vitit. Ai vlerësoi se injorimi që i është bërë nga FBK-ja është më shumë se fyerje. Tregoi edhe pse vendosi të reagonte.
“Ajo që më nxiti të shkruaja është modeli që po e lëmë pas. Pa modesti, vitin e kaluar isha model i mirë, më i miri! Nga salla e operacionit, e me fasha në kokë direkt shkova në ‘Minatori’. E dija që nuk mundem të futem menjëherë në lojë, por përçova shpirtin tim luftarak aty. Shpirtin, djersën dhe zemrën e dhurova për Trepçën kampione! Kjo që bëri Federata e Basketbollit të Kosovës më fyu gjakun, djersën dhe rezultatet. Sido që të jetë ata e fyen veten! Unë nuk ndalem kurrë! Do të luftoj deri sa të shtjerrem i tëri për Kosovën, për Mitrovicën, për Trepçën!”, ka shkruar Hajrizi, njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të klubit mitrovicas.
Hajrizi e ka përmendur edhe Dardan Berishën. E ka vlerësuar atë. Berisha e Hajrizi janë dy lojtarët kryesorë te Kosova.
“Dardan Berisha është lojtar emblematik i Kosovës. Ai është ikonë e Kosovës dhe lojtari më i sukseshëm shqiptar në arenën ndëkombëtare. Vitin e kaluar unë isha më i miri në Superligën e Kosovës”, ka vazhduar Hajrizi.
Ai mori përkrahje të madhe në rrjetet sociale.
FBK-ja ka rregullore për shpalljen e Laureatëve të Vitit. Në rregullore saktësohet se nominimet bëhen nga klubet, ndërsa më të mirët shpallen nga komisioni. Në fund Bordi i FBK-së merr vendimin përfundimtar.
Me rregullore, FBK-ja përjashton nga mundësia e fitimit të çmimeve për lojtarët e trajnerët e huaj. Kjo bie në kundërshti me gjendjen reale – trajnerët e huaj janë kryesorët në Kosovë, njëjtë si lojtarët e huaj. Më të paguarit po se po.
Kjo rregullore, për shembull, e përjashton mundësinë që Adis Beqiragiq të shpallet trajneri më i mirë në Kosovë. Dhe boshnjaku Beqiragiq ka fituar trofe të shumtë për vjet të tëra rresht. Rregullorja nuk është shumë konkrete. Dhe lë hapësirë për interpretim.
Tek “elementet e vlerësimit dhe poentimit” pika e parë është “rezultatet sportive”. Me rezultat sportiv natyrisht kuptohet titulli i kampionit, kupa, Superkupa...
“Performanca individuale në garat kombëtare dhe ndërkombëtare; rezultatet e arritura me përfaqësuesen e Kosovës, të cilat kanë peshë të veçantë në vlerësim për shkak të rëndësisë kombëtare të përfaqësimit; rezultatet e arritura me klubet përkatëse në ligat vendore dhe të huaja”, janë tri pikat e këtij neni të rregullores.
Te tabela e poentimit për basketbollistë e basketbolliste të vitit kriteret janë: Rezultatet në gara ndërkombëtare, rezultatet në gara vendore, pjesëmarrja dhe performanca me përfaqësuesen, sjellja profesionale dhe lidershipi, kontributi në komunitet.
Edhe këto kritere lënë hapësirë për interpretim. Për shembull Trepça luajti në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Peja luan në ENBL, një ligë ndërkombëtare, por jo kupë evropiane.
Revolta te mbështetësit e Trepçës është rritur edhe më shumë për faktin që Hajrizi nuk u përfshi as në pesëshen më të mirë të vitit. Pjesë e saj ishin Dardan Berisha, Mikaile Tmushiq, Valon Bunjaku, Don Polloshka e Dardan Kapiti. Tmushiq e Kapiti janë pjesë e Trepçës.
Por pakënaqësitë nuk ishin të kufizuara vetëm te basketbollistët. Edhe te basketbollistet u shpall më e mira një lojtare e skuadrës që nuk fitoi trofe. Bashkimi u shpall klubi më i mirë por kjo skuadër nuk e dha lojtaren më të mirë.
Përzgjedhja e më të mirëve në sportin kosovar shpesh sjell kundërthënie, kritika, fyerje, por edhe ndarje. Natyrisht, jo vetëm në basketboll. Por në basketboll e futboll reagimet janë më të dukshme e më të bujshme, për shkak të popullaritetit që si sporte kanë në vend. Në sportet tjera, ndonëse vazhdimisht ka ankesa, herë me vend e herë jo, pakënaqësitë kalohen në heshtje.
Disa federata i zgjedhin më të mirët me vlerësim të trajnerëve, disa me komisione e disa duke u thirrur në kritere. Por pak ceremoni, që mendohen festive, kalojnë pa reagime e pakënaqësi.