Arbëri

Hoti: Menaxhimi i situatës me energjinë elektrike nga KEDS-i është i papranueshëm

Avdullah Hoti

Avdullah Hoti

Foto: Driton Paçarada

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e ka përshkruar si të rënduar situatën me energjinë elektrike në Kosovë.

Përmes një statusi në Facebook ka shkruar se të shtunën situata me energjinë elektrike në shumë fshatra të Rahovecit dhe në qytet ka qenë e rënduar. Ka shtuar se me orë të tëra nuk ka pasur furnizim, duke pretenduar se situatë e njëjtë, ka qenë edhe në rajone të tjera.

“E kemi ngritur në vazhdimësi këtë problem, por situata nuk po përmirësohet. Papërgjegjësi totale. Menaxhimi i situatës nga ana e KEDS-it është i papranueshëm. Në këto ditë dimri, pasiguria e furnizimit me energji elektrike çrregullon çdo planifikim familjar për festat e fundit të vitit. Bizneset detyrohen të ndërpresin punën apo të punojnë me kosto të rritura”, ka shkruar ai.

Hoti ka thënë se në gjithë këto vite sektori i energjisë është menaxhuar tmerrësisht keq.

Sipas tij, pesë vjet pa asnjë kapacitet të ri energjetik, duke deklaruar se projektet e iniciuara në qeveritë paraprake janë ndërprerë, duke krijuar terren për import enorm të energjisë elektrike.

“Marrëveshja e Uashingtonit nuk është zbatuar dhe, rrjedhimisht, centrali me gaz nuk u ndërtua. Kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” u anulua dhe shteti është detyruar të paguajë 20 milionë euro penalti. Çmimi i energjisë elektrike u rrit disa herë, duke rënduar koston e jetës së qytetarëve.  Nxjerrja e bizneseve në tregun e hapur energjetik pa krijuar kushtet e nevojshme ka bërë që rreth 1000 kompani të furnizohen me energji rreth tri herë më shtrenjtë se sa kanë paguar më parë. Kjo ka rezultuar me rritje të kostove të prodhimit për bizneset, të cilat këto kosto janë bartur në çmimet e produkteve, duke rritur kështu koston e shportës për qytetarë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, e gjithë kjo situatë ka bërë që importi i energjisë në këtë vit të jetë afër 1 miliard euro, të cilat janë paguar nga qytetarët dhe bizneset përmes tarifave të rritura të energjisë.

“Si mund të arsyetohet kjo situatë? Kush ka interes nga bllokimi i zhvillimit të sektorit energjetik në Kosovë? Pse janë ndërprerë projektet e qeverive paraprake? Pse janë rritur tarifat tri herë? Pse janë nxjerrë në treg të hapur bizneset pa përgatitjet e nevojshme? Pse tani ato u nxorën në treg të hapur? Këto janë çështje që duhet të marrin përgjigje dhe do të marrin përgjigje”, ka thënë ai.