Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur për herë të parë mbi zhvillimet politike dhe ngërçin në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të shtunën, Kurti e ka refuzuar idenë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për qeveri tranzicionale, por ka thënë se është i interesuar për qeveri normale.
Kurti ka thënë se i dërgoi ftesë të dytë për bashkëpunim LDK-së pas deklaratave të disa deputetëve të kësaj partie se duhet të ketë marrëveshje politike. Kryeministri në detyrë ka pritur që ta ketë më lehtë koalicionin me LDK-në pas reformave në këtë parti, por që nuk i doli ashtu.
“Për ta ndihmuar daljen nga kjo bllokadë siç e dini i ftova kryetarët e partive PDK-së e LDK-së, por ky i dyti refuzoi të vijë, ndonëse disa deputetë të LDK-së thanë se duhet të ketë marrëveshje politike. Për këtë e shkrova edhe një letër tjetër për koalicion LVV-LDK, por edhe ajo u refuzua. LDK më 2020 bëri koalicion me ne, tash pas reformave do të duhej ta kishte edhe më të lehtë për të hyrë në koalicion me neve. Por nuk po ngjan kështu. Ndoshta rruga e re ka preferenca tjera. Ne duam qeveri normale jo të përkohshme e as të tranzicionit e as të opozitës. Dorën në zemër ky togfjalëshi është paradoksal, sepse opozita është opozitë se duhet të jete opozitë e qeverisë”, ka thënë Kurti.
Për moskonstituimin e Kuvendit për të 13-tën herë, Kurti ka këmbëngulur se nuk ka krizë institucionale, por vakum kushtetues. Sipas tij, institucionet tjera funksionojnë normalisht dhe vetëm Kuvendi i ri nuk është konstituuar, për shkak se Kushtetuta nuk parashikon qartë çfarë ndodh kur kandidati për kryetar nuk merr 61 vota.
“Kuvendi nuk konstituohet nga fituesi, qoftë ai absolut apo relativ. Por meqë jemi fitues, na takon pozita e kryetarit. Kuvendi është përgjegjësi e të gjithëve”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se partia e tij nuk ka bllokuar procesin, pasi ka propozuar kandidaten Albulena Haxhiu dhe ka votuar për të. Sipas Kurtit, disa deputetë opozitarë që më herët votonin kundër propozimit të VV-së, tani po bojkotojnë votimin krejtësisht për të penguar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit. Kurti konfirmoi se nuk e kanë ndërmend ta ndërrojnë Haxhiun si emër për ta marrë drejtimin e Kuvendit - pavarësisht se PDK-ja e AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë emra të tjerë.
“Bllokimi vjen nga ata që votojnë kundër apo bojkotojnë votimin. Ne nuk jemi bllokues, por votues. Të tjerët le t’i ruajnë propozimet e tyre për kur t’ju vijë radha – ne do t’i respektojmë ato”, shtoi ai.
Kurti tutje u shpreh se rezultati i zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet, edhe nëse ato përsëriten – përveç se mund ta rrisin Vetëvendosjen.
“Zgjedhjet mund të përsëriten, por rezultati jo vetëm që mund të ripërsëritet, por edhe të thellohet për Vetëvendosjen”, deklaroi ai.
Kurti ka thënë se ndonëse votohet shpesh në mënyrë të fshehtë në Kuvend, deputetët opozitarë nuk po përkrahin këtë mënyrë votimi edhe për zgjedhjen e Haxhiut si kryeparlamentare.
“Mbi 60 deputetë nuk po marrin pjesë në votim, gjë që po bllokon konstituimin e Kuvendit. Kjo është përgjegjësi e të gjithëve, jo vetëm e koalicionit fitues”, ka thënë Kurti, duke theksuar se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi dhe pastaj të formohet qeveria – jo anasjelltas.
“Kosova ka qeveri, ka ministra, ka kryeministër në detyrë – por nuk ka Kuvend funksional. Le ta bëjmë këtë sa më parë, pa vonesa”, ka potencuar Kurti.
Gjatë fjalimit, kryeministri në detyrë goditi LDK-në, duke i përmendur “bartjen e njerëzve me autobusë nga qyteti në qytet” gjatë fushatës zgjedhore.
“42.3 për qind është votë e pastër popullore, votë e sinqertë qytetare, pa asnjë borxh ndaj askujt, as për asgjë. Nuk i kemi borxh asnjë emri të përveçëm, asnjë grupi të posaçëm e i kemi borxh popullit të Kosovës. Për këtë fitore është bërë shumë punë. Pa përdorur autobusë e transportim të njerëzve nga qyteti në qytet, pa falsifikime, pa manipulime, pa mashtrime e pa vetëmashtrime. Kjo nuk do të ishte e mundur pa angazhimin e paepur të aktivistëve tanë”, ka deklaruar Kurti.