Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se deputetët nuk mund të zgjedhin kryetarin e Kuvendit me votim të hapur, pa i dhënë epilog propozimit për formimin e komisionit për votim të fshehtë, që tash e sa muaj nuk po merr mbështetje.
Të enjten, Gjykata Kushtetuese obligoi deputetët që ta konstituojnë Kuvendin për 30 ditë. Kuvendi konsiderohet i konstituuar kur të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët. E Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese ka dështuar në propozimin fillimisht të emrit të Albulena Haxhiut dhe më pas në propozimin që të formohet komisioni për votim të fshehtë.
Aktgjykimi i Kushtetueses u interpretua ndryshe nga partitë që ishin në opozitë dhe LVV-ja. Teksa opozitarët thonë se aty u sqarua që është shkelje kalimi në votim të fshehtë, VV-ja e interpreton si të kundërt. Tash Kryeziu-Hyseni ka thënë se deputetët duhet t’i japin fund propozimit për votim të fshehtë, qoftë me votë pro apo kundër, dhe më pas të mund të mendojnë për votim të hapur.
“S’mund të rikthehemi tek asnjë formë tjetër. Nëse s’duan të shkojmë me votim të fshehtë, le ta rrëzojnë komisionin. Do të na kthente në votim të hapur. Por ata kanë ngecur, janë bllokuar totalisht. Nuk po duan të veprojnë fare që të shohim rezultat konkret pozitiv për krijimin e institucioneve. Ne jemi në procedurën e formimit të komisionit. Nuk mund të kthehemi në votim të hapur, pa marrë epilog kjo procedurë. Le ta mundësojnë komisionin për votim të fshehtë. Nëse s’i merr votat, Haxhiu tërhiqet dhe shkojmë me emër të ri dhe vendosim si t’i nënshtrohemi procesit të votimit të ri”, ka thënë ajo të premten në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Sipas deputetes Kryeziu-Hyseni, po që se kalimi në propozimin për votim të fshehtë do të ishte antikushtetues, ajo çështje do të thuhej eksplicit në aktgjykimin e së enjtes.
Kryeziu-Hyseni e ka cilësuar kompromis deklaratën e Haxhiut që nëse s’i merr votat e mjaftueshme në votim të fshehtë tërhiqet nga kandidatura. Madje, sipas saj, LVV-ja ka bërë disa lëvizje si subjekti fitues për të shkuar drejt zgjidhjes.
Ajo ka thënë se Kushtetuesja ka konfirmuar se përgjegjësia u bie të gjitha partive dhe të gjithë deputetëve, pa dallim, për të arritur kompromis a konsensus për të shtyrë konstituimin përpara. Në drejtim të kësaj, sipas saj, është edhe ftesa e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për takim me kryetarët e partive të tjera të shtunën.
Kryeziu-Hyseni ka thënë se kushtëzimi i partive të tjera që Haxhiu të mos propozohet më është i gabuar. Ajo ka thënë se dyshon që në opozitë do të mund të thoshin njëjtë edhe për ndonjë emër tjetër të propozuar nga VV-ja.
“S’mund të hyjmë në këto lojëra për të plotësuar dëshirat e partive opozitare sepse po flasim për partinë fituese që me të drejtë kushtetuese propozon kandidatin e saj. Në këtë rast po themi edhe pse kemi të drejtë ekskluzive për të propozuar emrin, po ulemi dhe po diskutojmë mundësinë për të votuar komisionin ose nëse s’po doni për votim të fshehtë, hidheni poshtë komisionin dhe kalojmë te procedura tjetër. Edhe fakti se Haxhiu tha se nëse s’i merr votat është njëlloj kompromisi sado që ata s’po e shohin si të tillë”, ka thënë tutje ajo.
Kryeziu-Hyseni ka përsëritur se po që se miratohet propozimi për votim të fshehtë, mund të ketë deputetë opozitarë që votojnë për Haxhiun pasi s’po s’pajtohen me qëndrimet e partive të tyre.
Aktgjykimin ajo e ka quajtur të paqartë në aspektin se çka mund të ndodhë po që se nuk konstituohet Kuvendi për 30 ditë.
Sipas saj, propozim i VV-së mbetet edhe votimi i kandidatit për kryetar dhe atyre për nënkryetarë në një pako.
Kryeziu-Hyseni ka vlerësuar se në PDK dhe LDK nuk ka parë “zbutje qëndrimesh” as pas aktgjykimit.
“S’di a janë zbutur. Po e shoh PDK-në që thotë se komisioni i fshehtë është antikushtetues, LDK-në që thotë se s’e voton asnjë kandidat. Nuk e di çfarë po duan të nxjerrin partitë, por nëse bazohemi në kërkesën e Kushtetueses që jemi të obliguar t’i përmbahemi, po duket se vetëm ne po jemi të interesuar që të nxjerrim diçka për të zhbllokuar situatën. Nëse kjo vazhdon edhe nesër, prapë do të jetë problematike. Kushtetuesja tha duhet mirëkuptim, bashkëpunim, kompromis, konsensus dhe ne jemi aty. Prandaj kemi bërë ftesë. Kemi edhe deklaratën e Haxhiut. S’mund të ulemi e t’u themi tregonani çfarë të doni ju”, ka thënë tutje ajo.