Marta Kos, komisionere e Bashkimit Evropian për zgjerim, ua ka bërë të qartë liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor se është përgjegjësi e tyre implementimi i reformave në mënyrë që popujt të fitojnë nga Plani i Rritjes 6-miliardësh.
“Përdorini këto dritare të mundësive. Gjeopolitika ka ndryshuar dhe jemi duke parë përkushtim të vërtetë për zgjerimin në kryeqytetet evropiane dhe për të ndërtuar një Evropë të fortë dhe që merr kontrollin e të ardhmes së saj. Ne kemi nevojë që të gjithë evropianët të punojnë së bashku, gjithashtu me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Plani i Rritjes sjell benefite sociale për qytetarët për Maqedoninë e Veriut dhe të shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor para pranimit në BE siç është thënë në deklaratën e përbashkët të liderëve sot. Kjo është përgjegjësia juaj që të implementohet për benefitet e shtetasve tuaj dhe bizneseve dhe sigurisht BE-ja do të ndihmojë”, ka thënë ajo në konferencën pas takimit me liderët në Shkup.
Kos ka thënë se tashmë është faza e implementimit dhe se rezultatet, sipas saj, janë pozitive. Megjithatë, ajo ka bërë thirrje që të intensifikohen angazhimet në implementimin e çerekut të reformave të premtuara e që s’janë mbërritur.
“Paratë do të jenë në dispozicion deri në fund të 2027 dhe nëse shtetet nuk e përdorin këtë, ne do të duhej të japim, mua më duhet t’i jap këto para në buxhetin e përgjithshëm të BE-së. Mendoj se është mënyrë më e mirë që shtetet të bëjnë reformat dhe ne të japim paratë te shtetet kandidate e jo te kthehen te buxheti i BE-së edhe pse unë jam pjesë e BE-së dhe kujdesem për këtë buxhet. Por me të vërtetë dua që deri në euron e fundit të shpenzohet nga shtetet kandidate”, ka shtuar ajo.
Nga fondi prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë – një pjesë në formë granti, dhe një formë si kredi.
Teksa disa shtete kanë marrë mjetet e para, Kosova nuk arrin ta bëjë për shkak të mosratifikimit të marrëveshjeve në Kuvend.
