Ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është një nga sugjerimet që ka marrë ministri në detyrë, Glauk Konjufca, në ditët e para në këtë detyrë. Kjo është konfirmuar nëpërmjet një letërkëmbimi që ka pasur me drejtorin e përgjithshëm në MPJD, Albert Prenkaj. Ky i fundit i ka shkruar Konjufcës se deri më tani sekretarë të përgjithshëm janë emëruar persona të jashtëm dhe jokompetentë.
Disa ditë pas letrës së dërguar, Prenkaj emërohet ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm. MPJD-ja e ka përjashtuar mundësinë që rekomandimi i Prenkajt të ketë ndikuar që ai të emërohet në këtë post. Megjithatë, në kabinetin e ministrit Konjufca e kanë konfirmuar komunikimin rreth mënyrës së zgjedhjes së sekretarit, por e kanë kualifikuar shkelje të rëndë rrjedhjen e informatës te gazeta, me ç’rast kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga organet e rendit hetim të brendshëm, raporton KOHA.
Në letrën e tij, Prenkaj, i cili është pjesë e MPJ-së prej vitit 2008, ka marrë shkas vendimin e kryeministrit Kurti për sekretarët e përgjithshëm pas riorganizimit, që të rekomandojë emërimin e diplomatëve të karrierës.
“Meqenëse kryeministri ka vendosur që sekretarin e përgjithshëm të MPJ-së ta dërgojë në listën e tepricës teknologjike, edhe përkundër respektit dhe konsideratës për rëndësinë e secilit dikaster shtetëror, MPJ-ja është dikaster tejet i rëndësishëm shtetëror, me rol përfaqësues, përzgjedhja e sekretarit të përgjithshëm duhet medoemos të vijë nga diplomatë karriere me gradën më të lartë diplomatike”, shkruan në emailin e Prenkajt, të cilin gazeta ka arritur ta sigurojë nga burime brenda MPJD-së.
Ambasadori Prenkaj më tej ka shkruar se që nga themelimi i MPJ-së nuk janë kuptuar asnjëherë mirëfilli roli dhe rëndësia e këtij dikasteri. Sipas tij, në këtë pozitë në vazhdimësi janë emëruar persona jokompetentë, të jashtëm, të cilët asnjëherë nuk i kanë njohur dhe nuk i kanë kuptuar MPJ-në dhe Shërbimin e Jashtëm.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.