Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kanë nisur të kryejnë pagesat e borxheve pas alokimit të pjesshëm të mjeteve nga Ministria e Financave.
Më herët, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Komunës së Prishtinë i janë alokuar 2.7 nga 25 milionë euro sa janë në total të hyrat vetanake të vitit 2024.
Në një njoftim në Facebook, kryetari i Prishtinës ka shkruar se Drejtoria e Financave po punon jashtë orarit sot për të kryer pagesat.
“Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare prej 25 milion euro nga bartja e vitit 2024 nga Ministria e Financave drejt Kryeqytetit. Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave.Në përputhje me dinamikën e alokimit të mjeteve nga Ministria, ne si komunë do të vazhdojmë me procesimin e pagesave në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt”, ka shkruar Rama.
Ai tutje ka thënë se pret sa më shpejt të përfundojë alokimi i plotë i 25 milionë eurove nga Ministria.
Shkaku i këtyre borxheve, Trafiku Urban në kryeqytet nuk ka punuar tash e nëntë ditë.