Shqipëria ka mbyllur sot tre kapitujt e parë negociues për anëtarësim në Bashkimin Evropian në Konferencën e IX-të Ndërqeveritare Shqipëri - BE që u mbajt të martën mbrëma në Bruksel.
Shqipëria ka mbyllur kapitujt me numra rendorë 25, 26 dhe 30, për të cilët ose nuk ka nevojë të negociohet fare ose Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret. Negociatat për anëtarësim në BE të Shqipërisë përmbajnë 33 kapituj.
Në një konferencë për media, kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo gjë shënon një gur kilometrik tjetër në rrugëtimin e pakthyeshëm në BE.
E komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë se ky është një moment historik për Shqipërinë, por shtoi se e pret punë e madhe për përmbylljen e të gjithë kapitujve.
Shqipëria ka mbyllur kapitujt 25 (Shkenca dhe Hulumtimet) dhe 26 (Arsimi dhe Kultura), kapituj të cilët në të kaluarën janë hapur dhe mbyllur përnjëherë, pasi për ta nuk ka ndonjë kornizë të përbashkët ligjore të BE-së, por vetëm disa parime themelore. Por, që nga hyrja në fuqi e metodologjisë së re në procesin e zgjerimit të BE-së, asnjë kapitull nuk ka mundur të mbyllet pa u miratuar një raport i ndërmjetëm për përmbushjen e kritereve kalimtare në fushën e rendit dhe ligjit, raport i njohur me shkurtesën IBAR. Një raport i tillë për Shqipërinë është miratuar me disa muaj vonesë, pasi ka pasur rezerva nga ana e disa shteteve anëtare, por ky miratim së paku ka hapur rrugën që Shqipëria tash të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve, pasi vitin e kaluar kishte bërë një progres të jashtëzakonshëm duke i hapur të gjithë kapitujt.
Shqipëria mbylli edhe kapitullin 30, që ka të bëjë me politikën e jashtme. Rreth këtij kapitulli Shqipëria nuk ka pasur probleme asnjëherë, pasi është e përshtatur 100 për qind me pozicionet e BE-së në çështjet e jashtme, ndërkohë që është edhe vend anëtar i NATO-s.
Shqipëria mbyll tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në
-
Shqipëria mbyll sot tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në
-
Shqipëria nis fazë të re të integrimit në BE – mbyll kapitujt e parë negociues
-
Shqipëria hap edhe katër kapituj të rinj të negociatave të anëtarësimit me BE-në
-
Rama: Më 26 maj në Bruksel hapim fazën përfundimtare të negociatave me BE-në
-
Shqipëria hap kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në BE