Kina rrit ndikimin mbi mediat e Evropës Juglindore, përfshirë edhe Shqipërinë, si dhe zgjerimin e prezencës së saj në ekonomi, politikë, jetën sociale dhe atë kulturore përgjatë dekadës së fundit. Një raport i publikuar nga fondacioni “Konrad Adenauer” vëren rritje të ndikimit të Kinës mbi mediat e Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë, ku influenca më e madhe vihet re në mediat publike si Agjencia Telegrafike Shqiptare, (ATSH) dhe Radio Televizioni Shqiptar, (RTSH), të cilat kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me agjencitë simotra në Kinë.
Sipas raportit, ATSH-ja ka rritur bashkëpunimin që prej vitit 2012 me agjencinë shtetërore kineze, “Xinhua”, ndërkohë që në vitin 2019 edhe Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me homologët e saj në Kinë, duke përfshirë shkëmbimin e përmbajtjeve mediatike, si filma, dokumentarë, filma për fëmijë, si edhe trajnime të stafit. “Një sasi domethënëse produktesh ofrohen falas nga ana kineze. Marrëveshja lehtëson edhe transmetimin e dokumentarëve mbi sistemin e qeverisjes në Kinë, të tillë si “Kina: Koha e Xi,” thuhet në raport, duke iu referuar serialeve televizive mbi udhëheqësin e Partisë Komuniste kineze, Xi Jinping.
Raporti “Në radar: Prania mediatike në rritje e Kinës në Evropën Juglindore” është hartuar nga eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Vladimir Shopov, me mbështetjen e “Konrad Adenauer Stiftung”. Ai thekson se Kina ka investuar gjithashtu në krijimin e një rrjeti bashkëpunimi me mediat publike dhe ato private në rajonin e Ballkanit, duke u përpjekur që t’i ndikojë temat dhe narrativën në debatin publik.
Rritja graduale e ndikimit të Kinës vlerësohet se ka ndodhur në një kohë të turbullt për pozicionimin gjeopolitik të Ballkanit dhe është influencuar nga ngjarje të tilla, si menaxhimi i pandemisë së COVID-19, politikat ndaj rrjetit 5G dhe kompanisë teknologjike “Huawei”, konflikteve me Shtetet e Bashkuara dhe qëndrimit ambivalent të Evropës. Raporti thekson, megjithatë, se në Shqipëri nuk janë identifikuar media me politika editoriale pro-kineze dhe as media me pronësi kineze.
Gjithsesi, mungesa e transparencës mbetet një problematikë, sidomos në lidhje me platformat online dhe në platformat e reja. Edhe mbulimi mediatik i ndihmave të ardhura nga Kina, sidomos në kohën e pandemisë së COVID-19 konsiderohet neutral, ndërkohë që theksohet se politikanët e nivelit të lartë kanë zgjedhur të evitojnë promovimin e bashkëpunimit me Pekinin.
“Për shembull, ndihmat mjekësore në Shqipëri u pritën nga zëvendësministrat, duke sjellë interes të madh të medias në këto çështje”, shtohet aty.
Raporti i ekspertit Shopov vlerëson se Ambasada dhe ambasadori kinez në Tiranë kanë luajtur një rol aktiv për rritjen graduale të bashkëpunimit me gazetarët shqiptarë, duke organizuar takime dhe tryeza joformale pune apo edhe programe shkëmbimi. Si pjesë e këtyre programeve, gazetarët apo drejtuesit e mediave publike kanë kryer udhëtime studimore në Kinë, ku pas kthimit të tyre në Shqipëri ata shkruajnë dhe publikojnë përshtypjet e tyre.
Gjithsesi, praktika të tilla nuk janë provuar gjithnjë të suksesshme sipas raportit. Kur këta artikuj nuk janë pëlqyer nga Pekini, gjuha e diplomatëve kinezë ndaj gazetarëve shpeshherë ka qenë e ashpër.