Arbëri

Këshilltari i Clarkut vazhdon sot dëshminë në Hagë

Thaçi dhe të tjerët

Foto: Arkiv

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do t ë vazhdojë gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefit të deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi. 

Sot do të vazhdojë dëshminë e tij Michael Durkee, këshilltari i ish-komandantit të NATO-s për Evropë, Wesley Clark.

Ai e ka nisur dëshminë të mërkurën dhe ka thënë se Thaçi nuk kishte rol ushtarak në UÇK, por vetëm politik.

Në seancën e të mërkurës është paralajmëruar po ashtu se ish-komandanti i NATO-s për Evropë, Wesley Clark, planifikohet të nisë dëshminë të hënën.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhen me gjashtë akuza për krime lufte, si: Përndjekje (Pika 1), burgosje (Pika 2), akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), torturë (Pika 6), vrasje e paligjshme (Pika 8), zhdukje me dhunë (Pika 10) si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), trajtim mizor (Pika 5), torturë (Pika 7) dhe vrasje e paligjshme (Pika 9). 

Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në shtab të përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. 

Ish-drejtuesit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim të luftonte Serbinë e jo civilët.