Pas reagimeve të shumta dhe kritikave për pasaktësi në pasqyrimin e masakrave në Kosovë nga lufta e fundit, organizatat që ishin përgjegjëse për ekspozitën e cila u shfaq në sheshet e Prishtinës, Admovere dhe Integra, kanë kërkuar falje.
Përmes një postimi në Facebook kanë shkruar se qëllimi i vetëm i ekspozitës ishte nderimi i viktimave civile të luftës dhe kontribuimi në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Përmes këtij reagimi, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me ndikimin dhe reagimet e shkaktuara nga ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”. Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar. Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd”, thuhet në reagim.
Tutje përmes reagimit kanë bërë thirrje, për siç thonë ata, ndalje të sulmeve dhe linçimeve.
“Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme”, thuhet tutje në reagim.
Pesë ditë pas vendosjes, të shtunën në mëngjes janë larguar nga sheshi kryesor i Prishtinës tabelat me përmbajtje të pasakta për masakrat e ndodhura në Kosovë gjatë luftës, e që ishin pjesë e një ekspozite të financuar edhe nga Kuvendi i Kosovës.
Veprimi është ndërmarrë një ditë pasi Komuna e Prishtinës ka pezulluar lejen për ekspozitën, si pasojë e reagimeve të shumta publike lidhur me pasaktësitë e identifikuara në përmbajtje.
Pas kësaj, Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës që funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale, ka njoftuar se ekspozita do t’i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale.
Përfshirja e Prokurorisë në këtë rast është kërkuar që nga e premtja nga disa akterë institucionalë dhe shoqërorë.
Njëri prej atyre që bëri thirrje për aktivizimin e hetuesisë lidhur me deformimin e historisë është i mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, i cili edhe i ka denoncuar fillimisht pasaktësitë në ekspozitë.
Në njërën nga tabelat e saj për Masakrën e Dubravës jepet numri i pasaktë i viktimave dhe për disa prej tyre thuhet se kanë qenë shqiptarë të armatosur.
Ekspozita shfaq të dhëna të gabuara edhe për masakra të tjera. Për Masakrën e Reçakut thuhet se janë vrarë 37 civilë teksa Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë përmend të paktën 45 civilë shqiptarë.
Të dhëna të pasakta pati edhe për Masakrën e Izbicës, që të shtunën e shënoi përvjetorin e 27-të. Bazuar në publikime të Institutit, në këtë masakër u vranë nga forcat serbe 147 civilë shqiptarë. E, në ekspozitë thuhet se ishin 115.
Po ashtu, janë ekspozuar pasaktësi edhe për masakrën e Krushës së Vogël dhe Krushës së Madhe.
E, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), e ka përgënjeshtruar autorin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë”, Shkëlzen Gashi, i cili tha se të dhënat e pasakta që u prezantuan në të janë të Fondit.
Në reagimin e kësaj organizate thuhet se përveç që autori ka publikuar pasaktësi, ai ka mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave nga Baza e Fondit për të Drejtën Humanitare.
Sipas Fondit, Gashi ka nxjerrë si përfundim se një viktimë e krimeve të luftës ka qenë e armatosur veç pse ka qenë më parë pjesëtar i UÇK-së, dhe nuk e ka kategorizuar si civil.