Arbëri

Kërkohet dorëheqja e Gërvallës pas statusit ku nuk e përmendi UÇK-në

Opozita ia ka kërkuar edhe një herë dorëheqjen zëvendëskryeministres Donika Gërvalla, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme, pas një statusi në Facebook ku nuk e përmendi UÇK-në. Me rastin e Ditës së Çlirimit, Gërvalla foli në përgjithësi për kontributin e atyre që luftuan për çlirim duke përfshirë NATO-n dhe KFOR-in. E, PSD-ja reagimin e ka shprehur përmes një aksioni mbi veturën e Ministrisë që udhëheq Gërvalla.

Mospërmendja e UÇK-së nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në përvjetorin e Ditës së Çlirimit, ka nxitur një valë tjetër të reagimeve.

Opozita ka kërkuar edhe dorëheqjen e ministres. Përmes një statusi në Facebook, Gërvalla, megjithëse njohu kontributin e atyre që luftuan për çlirim, përfshirë NATO-n e KFOR-in, askund nuk e përmendi UÇK-në.

“Në një ditë si kjo i kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, ata që luftuan pa u ndalur me përkushtim dhe sakrificë të jashtëzakonshme, të gjithë ata që kontribuuan në të gjitha format për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Fitimtarë jemi gjithmonë atëherë kur jemi të bashkuar. Në Ditën e Çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jenë të përjetshëm”, ka shkruar Gërvalla.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e ka quajtur të dhimbshme qasjen e ministres duke uruar për Ditën e Çlirimit pa falënderuar për gjakun e dëshmorëve të UÇK-së dhe ish-udhëheqësve të saj që tani po akuzohen për krime lufte.

“Nën petkun e zëvendëskryeministres dhe ministres së Jashtme të Republikës së Kosovës është e dhimbshme dhe e çuditshme të urosh popullin shqiptar për Ditën e Çlirimit pa falënderuar gjakun e dëshmorëve të UÇK-së e pa e çmuar jetën e sakrificën e atyre pjesëtarëve që janë gjallë e të liderëve të UÇK-së në luftë e paqe që sot padrejtësisht janë në Hagë. Është fatkeqësi që me qëndrim të tillë të Qeverisë presim mbrojtjen e drejtë të luftës së UÇK-së, dënimin e Serbisë për gjenocidin në Kosovë e trajtimin me dinjitet të veteranëve!”, ka thënë ajo.

Ndërkaq aktivistë të Partisë Socialdemokratike të hënën kanë publikuar fotografi të një aksioni në veturën e Ministrisë që udhëhiqet nga Donika Gërvalla.

Derisa ka munguar një reagim nga Qeveria, në mbrojtje Gërvallës i ka dalë bashkëpartiaku, deputeti Haxhi Avdyli.

Ai ka shpërndarë një status ku thuhet se “ata që e kanë sha t’birin e Adem Jasharit nuk është seri që e shajnë edhe t’bijën e Jusuf Gërvallës”.

“Ata që e kanë sha t’birin e Adem Jasharit nuk osht seri që e shajnë edhe t’bijën e Jusuf Gërvallës”, thuhet në statusin e një qytetari, të cilin e ka shpërndarë deputeti Avdyli. E opozita në Kosovë Gërvallën vazhdimisht po e cilëson ai ‘anti-UÇK’”, ka thënë Haxhi Avdyli nga Lista Guxo.

Kjo nuk është hera e parë që kërkohet dorëheqja e Gërvallës, e cila në vazhdimësi është pandehur se mohon luftën e UÇK-së.