Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se bizneset që nuk kanë zgjedhur furnizues të energjisë pas liberalizmit të tregu, kanë kaluar automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, që në këtë rast është përcaktuar të jetë kjo ndërmarrje.
“KEK është përcaktuar si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF) me mandat të vlefshëm deri më 30 Korrik 2025. Konsumatorët që nuk kanë zgjedhur ende furnizues në tregun e lirë kane kaluar automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) dhe furnizohen me energji elektrike nga dt. 01 qershor 2025 nga KEK-u”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit afati ligjor për furnizim nga FMF ka filluar më një qershor dhe afati për lidhjen e kontratave me KEK-un si FMF është 8 ditë nga kjo datë.
Për këtë qëllim KEK-u ka lutur bizneset që menjëherë t’a kontaktojnë në adresën zyrtare: [email protected] ose në numrin e telefonit 080010600.
“Në komunikim, përfshini këto të dhëna të përditësuara të subjektit tuaj: Numri i biznesit (NUI), emri i biznesit, sipas regjistrimit zyrtar në ARBK, pikat matëse, adresa e biznesit, kontaktet (e-mail dhe numër telefoni), letërnjoftim i personit te autorizuar. Për çdo paqartësi apo nevojë për informata shtesë, stafi ynë është në dispozicion”, thuhet në njoftim.
Bazuar në vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), nga data 01 qershor 2025 ka filluar zyrtarisht liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në Kosovë.
Sipas vendimit bizneset me mbi 50 punonjës ose 10 milionë euro qarkullim vjetor, duhet vetë të gjejnë furnizuesit dhe çmimi nuk do të jetë i rregulluar, si në rastin e bizneseve më të vogla dhe amvisërive nga ZRRE-ja.