Arbëri

KE-ja hedh poshtë pretendimet se rektori Hajrullahu bëri shkelje, Hasani e quan vendimin joligjor

Të pabaza i ka vlerësuar Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës pretendimet për shkelje etike në procesin e avancimit të rektorit Arben Hajrullahu në vitin 2022, të ngritura nga profesori Enver Hasani. Sipas një vendimi të Këshillit, i marrë ditë më parë, nuk është konstatuar konflikt interesi dhe nuk ka palë të dëmtuara në këtë proces. E Hasani ka thënë se vendimi është joligjor dhe ka paralajmëruar denoncim në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, për siç ka thënë, “konflikt të pastër interesi”

Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës ka hedhur poshtë pretendimet për shkelje në procesin e avancimit të rektorit Arben Hajrullahu.

Profesori dhe ish-rektori Enver Hasani e pati denoncuar rektorin Hajrullahu në Këshill të Etikës, me pretendimin se gjatë procesit të avancimit në profesor të rregullt në vitin 2022, ai ka bërë shkelje etike, duke marrë pjesë në mbledhje dhe duke votuar veten, që është në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.

Mirëpo, këto pretendime i kanë konsideruar të pabaza në këtë këshill.

“Vendimi për avancimin e prof. Arben Hajrullahut është miratuar në mbledhjen e Senatit të datës 5 shtator 2022. Sipas ekstraktit të kësaj mbledhjeje, si dhe nga verifikimi administrativ, prof. Arben Hajrullahu nuk ka qenë pjesëmarrës në këtë mbledhje – as fizikisht, as virtualisht. Në atë kohë, ai nuk ushtronte funksionin e rektorit dhe nuk ishte anëtar i Senatit. Kjo përjashton çdo mundësi ndikimi ose përfshirjeje të tij në këtë fazë përfundimtare të procesit të avancimit”, thuhet në vendimin e këtij këshilli.

E profesori Enver Hasani ka thënë se vendimi është marrë për të gjeneruar prova shfajësuese penale ndaj rektorit Hajrullahu.

Sipas tij, vendimi është edhe joligjor, duke paralajmëruar edhe denoncim në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

“Shumë shpejt do të bëj një denoncim në Agjencinë për Pengim të Korrupsionit për një konflikt të pastër interesi, sepse nuk mund të vendosë për eprorin e vet një trup që caktohet me propozim nga ai epror. Siç e dini, rektori propozon anëtarët e Këshillit të Etikës dhe njëkohësisht kryeson Senatin e UP-së dhe cakton agjendën e tij”, ka thënë Hasani.

Vetë rektori Hajrullahu nuk ka pranuar të deklarohet për këtë çështje.

KOHA ka provuar të mërkurën të marrë një përgjigje nga ai, mirëpo nuk ka pranuar të prononcohet me arsyetimin “se pret një takim për këtë ditëve në vazhdim”.

Në raportimet e mëhershme të KOHËS lidhur me këtë çështje, rektori Hajrullahu nuk e pati mohuar se ka marrë pjesë në vendimmarrje kur është avancuar si profesor. 

Në procesverbalet e siguruara nga KOHA figuron se Hajrullahu ka votuar në mbledhjen e mbajtur më 19 maj të vitit 2022 për formimin e komisioneve vlerësuese dhe atij të ankesave, pastaj në mbledhjen e 26 majit mori pjesë dhe votoi për raportet e komisioneve vlerësuese për publikim në buletin, si dhe më 21 qershor kur u shqyrtuan dhe u miratuan propozimet e Këshillit të Fakultetit Filozofik për Senatin.

Por sipas Këshillit të Etikës, vendimet e marra në këto mbledhje janë përgjithësuar, për çka, sipas tyre, formulimet nuk dokumentojnë në mënyrë individuale pjesëmarrjen ose votimin e secilit anëtar, përfshirë edhe prova për ndonjë votim personal të Arben Hajrullahut për çështje që lidhen me të.