Mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit ka nxitur reagime të shumta mes shoqërisë civile dhe njohësve të çështjeve juridike. Derisa një pjesë e tyre thonë se Qeveria nuk duhet që t’i ekzekutojë pagat për ata punonjës që kanë mbajtur grevë, pjesa tjetër ka shprehur qëndrimin se Qeveria po e interpreton gabim Ligjin për greva
Qeveria, duke u thirrur në nenin 18 të Ligjit për greva, nuk i ka ekzekutuar pagat për mbi 22 mijë mësimdhënës që mbajtën grevë për më shumë se një muaj.
Neni 18 i këtij ligji parasheh që “gjatë zhvillimit të grevës, të pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke e përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”. Pika mbi pagesën dhe detyrimin është precizuar në ndryshimin e ligjit që është bërë në vitin 2012.
Por, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, vlerëson se neni 1 dhe ai 13 i këtij ligj, u japin grevistëve të drejta për përfitim nga pagat, teksa neni 18 lë hapësirë për komentime.
Sipas tij, nuk duhet të lexohet vetëm një dispozitë ligjore, por ligji në tërësi.
“Organizata e punës ka lëshuar një opinion ligjor i cili ka përcaktuar se duke marrë për bazë që janë 190 shtete anëtare të organizatës dhe janë të rregulluar në mënyra të ndryshme. Nuk ka një model unik, por secili shtet është i obliguar që ta rregullojë këtë fushë në bazë të kontekstit të vet”, ka thënë ai.
Por, sipas tij, nëse merret konteksti kosovar, sindikatat marrin nga anëtarësia në vit 700 mijë euro që janë të pamjaftueshme për të mbuluar pagat e mësimdhënësve që janë rreth 11.5 milionë euro në muaj.
“Nëse deri më datë 5 nuk ekzekutohen pagat për mësimdhënës, mund të themi se Qeveria përmes këtij vendimi, po i diskriminon mësimdhënësit që kanë hyrë në grevë, në bazë të përkatësisë ose profesionit”, ka thënë Miftaraj.
Ai ka thënë se ka zbatim të pabarabartë të ligjit nga ana e Qeverisë dhe është diskriminim i pastër që Qeveria i bën mësimdhënësve.
Por, me këtë nuk pajtohet Agron Demi nga Instituti GAP. Ai thotë se ligji e specifikon qartë se grevistët nuk duhet të marrin pagë për periudhën sa kanë mbajtur grevë. Për ta mbështetur këtë, ai përmend praktikat nga disa shtete evropiane, siç është Suedia, Norvegjia, Danimarka, Belgjika, Gjermania, Franca, Finlanda, Italia, Greqia dhe Spanja.
Qëndrim të njëjtë ka edhe Taulant Hoxha, drejtor i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile. Ai thotë se Ligji për greva i vitit 2012, bazuar në standardet ndërkombëtare, u kërkon punëdhënësve që të mos i paguajë punëtorët për kohën e kaluar në grevë.
“Praktika e pjesës më të madhe të botës demokratike tregon që për periudhën sa anëtarët e vet janë në grevë, Sindikata mbulon pagën e plotë ose të pjesshme, nga fondi që grumbullohet nga vetë punëtorët përgjatë viteve”, ka thënë mes tjerash Hoxha.
Mirëpo, Ali Sefaj, anëtar i Këshillit Grevist, thotë se Qeveria po përdor standarde të dyfishta te mësimdhënësit dhe te punëtorët në administratë. Ai përmend dy raste të grevave, në të cilat ekzekutivi i ka proceduar pagat për grevistët.
“Kemi laramani të zbatimit të ligjit. Kemi pasur greva edhe vitin e kaluar edhe këtë vit, në dy institucione të ndryshme, kur ka qenë në detyrë Qeveria Kurti dhe ministër Hekuran Murat, dhe se unë më shumë e shoh si trysni ndaj mësimdhënësve dhe SBASHK-ut. Kjo është vepër penale pasi pengon organizimin sindikal”, ka thënë ai.
Ndalja e pagave, sipas tij, është shkelje ligjore dhe përzierje në kompetencat e komunave.
“Nëse do të kishte rrethanë për ndaljen e pagave do të duhej të nxirrej një vendim dhe Ministria e Financave dhe Qeveria nuk mund t’i ndalin pagat e mësimdhënësve, pasi që përzihet në kompetenca të komunave që janë punëdhënës”, ka thënë Sefaj.
Megjithëse bashkë me mësimdhënësit, për afro një muaj në grevë kanë qenë edhe punëtorët në administrata publike, Qeveria i ka ekzekutuar pagat për ta.
Në Qeveri kanë thënë se për dallim prej punëtorëve në arsim, për punëtorët në administratë nuk janë siguruar informacione të plota mbi atë se kush ka qenë në grevë e kush jo. Kjo, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka ndodhur pasi që greva nuk ka qenë homogjene.
Kryeziu bëri të ditur se çështja do të trajtohet nga auditori dhe se do të zbatohet parimi, pagë për punë.