Tifo-grupi “Ballistët” kanë bërë të ditur se lojtarët e Shkëndijës së Tetovës do të kenë përkrahje të madhe në Shkup, në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Evropës. Ndeshja Shkëndija – Ludogorets luhet të enjten nga ora 20:00. Ndeshja kthyese luhet pas një jave.
“Përpara kemi ndeshjen më të rëndësishme gjatë viteve të fundit, atë të plejofit për hyrjen në Ligën e Evropës kundër skuadrës bullgare Ludogorets. Përgatituni për një udhëtim edhe më të madh se ajo e ndeshjes së kaluar, do të përgatitet edhe një koreografi që atmosfera të jetë elektrizuese. Kërkohet mobilizim i gjithë nëngrupeve”, shkruan në njoftimin e “Ballistëve”.
Shkëndija ka pasur përkrahje të madhe nga tribunat në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Shkëndija ka siguruar paraqitjen në Ligën e Konferencës. Por synimi i tetovarëve është paraqitja në Ligën e Evropës.