Suedia mund të kundërshtojë miratimin në nivel të Bashkimit Evropian të teknologjisë së vetëdrejtimit të mbikëqyrur të Teslas, për shkak të shqetësimeve se sistemi lejon automjetet të tejkalojnë kufijtë ligjorë të shpejtësisë.
Sipas një letre të Autoritetit suedez të Transportit, dërguar më 30 prill Komitetit Teknik për Automjetet Motorike të BE-së, funksioni i vetëdrejtimit i Teslas nuk duhet të miratohet për përdorim në rrugët evropiane nëse kompania nuk çaktivizon mundësinë që automjetet të lëvizin mbi kufijtë e lejuar të shpejtësisë, raportoi të enjten “Reuters”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDokumenti, i siguruar përmes një kërkese për qasje në dokumente publike, paralajmëron se lejimi i sistemeve të automatizuara për të tejkaluar në mënyrë sistematike kufijtë ligjorë të shpejtësisë mund të minojë kuadrin ligjor dhe përfitimet e pritshme të sigurisë që sjell automatizimi i automjeteve.
Komiteti evropian pritet të mblidhet sërish më 30 qershor për të diskutuar çështjen, përpara një votimi të ardhshëm që do të përcaktojë nëse teknologjia do të lejohet në të gjithë bllokun evropian.
Në qendër të debatit është funksioni “Speed Offset”, i cili u lejon përdoruesve të caktojnë një diferencë shpejtësie mbi limitin e vendosur në rrugë. Autoritetet suedeze kërkojnë heqjen e këtij opsioni, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të rekomandojnë votë kundër miratimit të teknologjisë.
Dokumente të brendshme tregojnë se edhe Agjencia Suedeze e Transportit ka ngritur shqetësime ndaj Teslas dhe autoritetit rregullator holandez RDW, i cili në prill dha miratimin paraprak për përdorimin e sistemit dhe mbështet zgjerimin e tij në të gjithë Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, vende të tjera nordike si Finlanda dhe Norvegjia kanë shprehur gjithashtu rezerva lidhur me funksionin e tejkalimit të shpejtësisë. Në anën tjetër, Holanda, Danimarka, Belgjika, Lituania dhe Estonia kanë lejuar përdorimin e teknologjisë, duke argumentuar se përgjegjësia mbetet te shoferi.
Për të hyrë në fuqi në të gjithë Bashkimin Evropian, propozimi duhet të marrë mbështetjen e të paktën 15 nga 27 shtetet anëtare, që përfaqësojnë së paku 65 për qind të popullsisë së bllokut.
Nëse propozimi refuzohet, miratimi i përkohshëm i dhënë nga Holanda do të skadojë pas gjashtë muajsh, ndërsa edhe autorizimet kombëtare të bazuara në të do të tërhiqen.