Për mungesë preventive në këtë rast, institucionet qendrore dhe ato lokale kanë shfajësuar veten. Krahas kësaj, janë dhënë paralajmërime për të ndërmarrë masa nëse konfirmohet neglizhenca nga Qendra për Punë Sociale.
Institucionet qendrore dhe ato lokale fajësuar njëra-tjetrën, në përpjekjen për ta hequr përgjegjësinë për rastin e 5-vjeçarit që u keqtrajtua nga prindërit dhe pësoi plagë në këmbë.
Drejtori i Departamentit për politika të shërbimeve sociale, Blerim Shabani, ka thënë se ofrimi i shërbimeve direkte për fëmijët dhe të rriturit që kanë nevojë për shërbime sociale dhe familjare, është e nivelit lokal.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ministria ka përgjegjësi në bazë të mandatit të hartojë legjislacion primar sekondar, programe, standarde, politika për mbikëqyrjen, por nuk është përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijët dhe të rriturit që kanë nevojë për shërbime sociale dhe familjare, kjo është përgjegjësi direkte e qendrave për punë sociale, gjegjësisht e komunave”, tha ai.
Shtatë fëmijët e kësaj familjeje për vite me radhë jetuan në strehimore deri kur Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim që ata t’i kthehen familjes biologjike.
Shabani ka thënë se është kërkuar raport i hollësishëm për trajtimin e rastit nga Qendra për Punë Sociale, si dhe është autorizuar njësia inspektuese.
E zëdhënësja e komunës së Lipjanit, Besarta Qadraku, ka thënë se nëse vërtetohet se ka pasur neglizhencë nga zyrtarët e kësaj qendre, do të ndërmerren masa.
“Ne jemi duke pritur një analizë dhe një raport të detajuar lidhje me këtë rast. Derisa nuk kemi një raport të detajuar nuk jemi kompetentë të flasim por nëse konstatohet se ka pas neglizhencë ose shkelje nga ana e zyrtarëve patjetër që do të ndërmarrim masa… Përfshihet suspendimi dhe largimi”, deklaroi ajo.
E Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale, Makfire Shamolli, nuk tregoi për takime të mundshme me prindër të fëmijëve, përfshirë atë 5-vjeçar, pasi u janë dorëzuar atyre.
“Këto procese janë të ndërlidhura me gjykatën. Privimi i të drejtës prindërore, ose privimi i përkohshëm i kujdesit prindëror, bëhet në bashkëpunim me ekspertë të ndryshëm, të cilët në kolegjiumin e tyre përfshijnë edhe punonjësin social. Megjithatë, pjesa e punonjësit social mbetet gjithmonë me avokatin në interes të familjes, si në rastin konkret”, theksoi ajo
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që shkel detyrimet e tij ligjore familjare, duke lënë në gjendje të rëndë anëtarin e familjes i cili nuk është në gjendje të kujdeset për veten, dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.
Sipas Kodit Penal kur vepra penale ka të bëjë me fëmijën, kryerësi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.